Pse Irani i shënjestroi vendet e Gjirit, surpriza e Trumpit, nafta dhe “Strategjia e Kaosit”
Nga Agron Gjekmarkaj
Pirro Dengu, ndonëse i plagosur shpirtërisht, hyri në sallën e Kuvendit si bilbilenjtë para litarit, siç i ka hije sërës së tij, dhe zuri vendin historik që i takon pranë Zeniqesë!
Një dhimbje tragjike mposhtej nga statura e tij madhështore!
Ai mbronte vatanin, komandonte ushtritë dhe bënte terbiet gjeneralët e hazdisur, ulëriti Damo dhe pastaj, i mbytur nga dëshpërimi, u shkreh në vaj! Shalsi delikati ç’hoq ta qetonte!
“Ç’do të bëhet tani me Shqipërinë?”, pyeti Ervin Hoxha me një shqetësim të thellë patriotik, dhe qimet e kresës iu ngritën perpjetë si fruzhë!
Mbëmë në dorë të Nufit tobe estakfurullah, tha Klosi i shkretë, gjithmonë i fundit, por tashmë vetëm numër!
Toni, njëri prej tre buajve të parlamentarizmës, i cili e braktisi atë parmendë për të rrëmbyer plorin e ekzekutivit, rrinte rëndë dhe Ulësia i dukej si axhami i papunë, gati si teveqel!
Ndihej si një reformator i madh i drejtësisë.
Ai lëmonte jelekun me sumbulla, lëshonte pasthirrma dhe ofshante ah e eh, pinte ujë herë pas here!
Lamellari, mbathësi i kuajve, qyqari më shihte me një ndjenjë triumfi: “Deshe Etildën ti në vendin tim, sikur më thoshte, mjaftohu të shikosh Tezen si rrap madhështor që ka mbirë pas shtërngatës së 2013 dhe akoma nuk po shkulet!
Nikua ka hequr e vuajtur këto kohë, duke shkuar e ardhur nga Korça herë me gomar, herë me mushkë, kalë a pelë, se helbete rrugët janë të prishura nga këto dreq stuhi korrupsioni! Madje, një ditë, në qafë të Moglicës desh bëri kollotumba, po, për fat, Kostaqi, i cili vigjëlon pranë tij, edhe këtë radhë u tregua në lartësinë e misionit, si spirancë e mbajti pelën për kapistre, kur një librazhdiot nga trimat e Taos e trembi që ai të rrëzohej e t’i zinte vendin! Deshe na bëre gjëmën moj virane e përkëdheli pastaj ëmbël kafshën e ngratë!
Po prapë ka brengë në gji: a i besohet njërit me mbiemrin Karakaçi, ngado që ta marrësh, me meze brenda, në daç në shqip, në daç turqisht pastaj andej nga Jugu karakaçe i thonë laraskës, dhe ne do na ndreq rrugët Enea Laraska mozomakeq, psherëtiu dhe e lëshuan gjunjët!
Aty pranë u gjend Klodi me Pendavinë që i njomen buzët me pak ujë e sheqer, që t’i ngrihej tensioni! Eh, ka halle e halle kjo dynja, psherëtinë dy doktorët.
Sypetrit Malaj ishte shumë i lumtur! Hë për hë kishte shpëtuar dhe jo vetëm kaq, por askush nuk po merrej me të, dhe dukej sikur ngrohej në diell duke dremitur dhe belbëzontë ca vargje optimiste:
“Jam Malaj, sypetriti/Mos u lodhni se nuk iki/ Po ika, u bë qameti/Ylefe s’do ketë mileti.”
Evis Kushi bënte hyzmet sa andej këtej, e bindur që një ditë do binte në sy dobia e saj e njohur!
“Jam Evisi, kush s’më njef/Iu bëfshin punët def/Mos bëni sikur s’e dini/Qesh Vezire te Arsimi/me erri nata s’më su agimi/
E ka thënë gjyshja e Ogit, mos u gëzo o i gëzuar, mos u hidhëro o i hidhëruar! Kur ja tha Buçkos ajo këtë, ai u mvrenjt ende më!
Këtë i thamë edhe ne Nallbatit, i cili ishte tërbuar më keq se një dem në Madrid! “I bënë atentat Mamicës, i bënë, që mos bëfshin hajër,” rënkonte, herë i binte kokës e herë banakut, të dyja oshëtimat të kallnin datën!
Do ia shkul mjekrën me këto duar atij Babos që bëri këtë hata, që ju shkurtofshin ditët në karrige! Do na bombardojë NATO, çakërdisej!
Rutja mendonte për paqen, kur cimbiste faqet e Mamicës, tani ç’të bëjë me qimet si push miu të atij Nuredin Hoxhës që e zëvendësoi, do bëhet hataja, vikaste! Po jo, i thashë, ngushëllohu, ka portretin në korridor të Kuvendit, aty ku historia nuk është një llaf goje! Lere, vëlla, Zot më mblidh mendjen se do bëj të pabërën, lëshoi kumtin dhe rendi drejt së panjohurës, duke kënduar një melodi devollitshe-labçe:
“Mor Rute, more ditzi/Ç’na gjeti mua dhe ti/Nuk ia vlen më sakrifica/Kur në krah t’mungon Mamica/Ç’më gjeti mua të gjorin/Në Devoll do marr traktorin/Ti s’ke cilë të ledhatosh/Po dhe unë ndihem bosh.”
Kryezëvendëslideri Flamur, i freskët dhe djaloshar nga përvjetori i 55-të, që për çudi koinçidon me titullin e gazetës së Faros, u kthye më në fund mes nesh, për t’i nxjerrë Zeniqesë damarin në qafë si kallamboq nga zemërimi, tek thërriste e vikaste!
Blendi Gonxhe dukej si ari polar që vëzhgonte mbi një kodër akulli botën rreth tij, paçka se ndihej alkimist që fotografin e bëri zv/ministre dhe kolauduesit e makinave drejtora kulture!
“Jam ministër, Blend më thonë/Dhe punoj deri vonë/Të jesh ministër kulture/Mjafton të veshësh poture e të jesh zullap me nure.
Gjithçka po shkonte mbroth, derisa Tao, i mbetur me gisht në gojë nga ndryshimet në qeveri, i etur dhe i uritur bashkë për të zënë vendin e Belës, lëshoi gojën si të ishte përroi i Zaranikës ndaj Albanës sonë!
Ju turr Gaz Bardhi me Klevis Ballinë për ta kopanisur, po iku nga sytë këmbët, duke hipur mbi banka e kërcyer pupthi! Ai vrap dhe Gazi e Klevisi ndiq tek i shtrinte pellemben!
Niko çirrte faqet dhe lutej – “Amanëni more djema, ejani në vete, mbani dorën!” Kur Tao u kthye, u përball me një furi zjarri nga Jorushi i Tabakëve, sytë e së cilës nxirrnin xixa dhe nga goja saçme për të mbrojtur Albanën nga ato llafe të liga.
Befas u shfaq jo vetëm e penës, por edhe e dyfekut, tha Braçja për të. Ndaj Kronika të bëjë drejtësi, të çojë hakën tek i zoti!
Ndërkohë, sikur të mos i mjaftonin dertet që ka, Babos po i fanepset edhe Ditmari i cili, nuk shëtit më si turist hungarez, por jep këshilla prej të urti që sapo ka zbuluar të mbuluarën dhe po na thotë që partia e shteti janë bërë një. Po pse i do të ndara ai paudhë, do ta bëjë Babon pjesë-pjesë? Ik, more, lipsu se i qan tjetërkush ato daramete, iu hakërrye Blend Klosi me Dilo Nasufnë dhe ia morën këngës: “O Ditmar, more Ditmar/Kjo nuk është qeder, por qar/ Se drejtorët në Parti/Vinin dhe kur ishe ti/Mblidhe mendjen, bëje top/e para vjen partia pas tyre Shqipëria!”.
Top Channel