Real Madrid i është bashkuar Arsenal në garën për mesfushorin italian Sandro Tonali, i cili aktualisht luan për Newcastle United.

Sipas mediave britanike, skautë të klubit madrilen ndoqën nga afër humbjen 3-1 të Newcastle ndaj Manchester City në FA Cup në St James’ Park. Fillimisht ata ishin të pranishëm për të studiuar ekipin e drejtuar nga Pep Guardiola përpara përballjes në 1/8-at e UEFA Champions League, por një tjetër objektiv i rëndësishëm ishte edhe Tonali.

Raportohet se drejtuesit e Real Madrid po përgatisin një lëvizje për 25-vjeçarin gjatë merkatos së verës, ku pritet një garë e fortë transferimesh që mund të arrijë deri në rreth 100 milionë paund.

Megjithatë, Newcastle nuk ka ndërmend ta lëshojë lehtë mesfushorin italian. Klubi anglez, i cili vitin e kaluar shiti Alexander Isak te Liverpool për një shifër rekord britanik prej 130 milionë paundësh, është i vendosur të mos humbasë një tjetër yll të skuadrës.

Tonali, i cili u transferua në vitin 2023 nga AC Milan për rreth 55 milionë paund, ka kontratë me Newcastle deri në vitin 2030 dhe përfiton rreth 150 mijë paund në javë. Ai ka një marrëdhënie të mirë edhe me trajnerin Eddie Howe, ndërsa klubi e mbështeti gjatë pezullimit 10-mujor për çështjen e basteve.

Megjithatë, e ardhmja e tij mund të varet edhe nga objektivat sportive të Newcastle. Nëse skuadra nuk arrin të kualifikohet në kompeticionet europiane, drejtuesit e klubit e dinë se mund të përballen me oferta të mëdha nga gjigantët e futbollit europian.

Pas ndeshjes së FA Cup, Guardiola u pa duke biseduar në fushë me Tonalin, gjë që ka shtuar edhe më shumë spekulimet për interesin e klubeve të mëdha për mesfushorin italian.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB