Premier League/Vijojnë polemikat për VAR pas pozicionit jashtë loje me hundë të Sarr
Mbrëmjen e së dielës në San Siro do të luhet Derbi i Madonninës mes Milanit dhe Interit dhe kush mund ta lexojë më mirë një ndeshje të tillë se Cristian Vieri që foli për këtë supersfidë për ‘La Gazzetta Dello Sport’
Hyjmë drejt e në temë; nëse Inter fiton ose barazon këtë derbi, e fitoi titullin?
‘Asnjë interist nuk thotë asgjë sepse nuk do që të ndjellë tersin, por kur kanë mbetur edhe 10 ndeshje deri në fund, asnjë skuadër nuk do të mund të arrijë këtë Inter, që me skuadrat e vogla i fiton praktikisht të gjitha ndeshjes. Dhe kur humbet titullin, ndodh sepse lë pikë me skuadrat e vogla’.
Një përshtypje e përhapur gjithandej; këtë vit Interi kishte prioritet kampionatin dhe jo Ligën e Kampioneve
‘Nuk e kam menduar kurrë një gjë të tillë; një skuadër si Interi është e detyruar të mos i bëjë arsyetime të tilla. Fola para pak kohe me Paolo Maldinin; luan një sezon të tëfrë për të shkuar në Champions League dhe kur luan në Evropë mendon ‘Jo, unë duhet të përqendrohem te kampionati’? Ose shikon avantazhin që ke në klasifikim dhe nis e bën llogaritë? Mua ajo që bënin kundërshtarët nuk me interesonin aspak.
Leao ka thënë: Për Milanin është çështje jetë a vdekje. E ka ekzagjeruar?
‘Në botë ka shumë probleme të tjera që kanë të bëjnë me vdekjen, por ai e tha për të karikuar të gjithë, skuadrën, ambientin. Por këto ndeshje nuk janë të tilla që një president, trajner apo shok skuadre të thotë dicka, karikohesh vetë. Disa gjëra duhen kur luan ndeshje ‘të lehta’, jo për ndeshje të tilla’.
Interi nuk fiton një ndeshje derbi prej 2 vitesh; 6 ndeshje për të qenë më saktë. Mund të rëndojë kjo?
‘Nuk e kuptoj pse do të duhet nëse është kaq e fortë; është rastësore’
Rastësore është edhe fakti që Interi ndaj 6 skuadrave të para të klasidfikimit, ka marrë 13 pikë duke humbur 3 herë dhe Milani 16 pikë pa asnjë disfatë?
‘Rastësore në kuptimin që mund të jetë varur nga momenti kur janë përballur në ndeshje të caktuara, si ishin ata dhe kundërshtarët e tyre. Por është pak a shumë si atëherë kur thuhet se Lautaro Martinez nuk shënon në ndeshje të rëndësishme, unë nuk shohë peshë mentale; Inter apo Lautaro, çfarë problemi duhet të kem në mendje?’
Çfarë duhet të bëjë Interi për të mos menduar ndeshjen derbi të fazës së parë? 20 gjuajtje, 2 shtylla, asnjë gol
‘Dhe Milani fitoi me një kundërsulm, sepse është shumë i fortë në këtë pikë në krahasim me Interin. Interi pra e di si luan Milani, Chivu do të punojë fort në tranzicionet difensive; nëse do të jetë e nevojshme, edhe me një faull taktik, siç iu pëlqen të thonë dijetarët e diplomuar në futboll që duan të shpikin shprehje të reja.
Chivu ka thënë: Duket se çdo gjë që bëjmë nuk është mirë. Është kritikuar tepër? Apo ka mësuar diçka nga Mourinho?
‘Ai e di; nëse je Inter dhe fiton shumë dhe për një kohë të gjatë, do të shkaktosh bezi; nëse humbet një ndeshje, do të nisësh të jetosh mes polemikave. Chivu është i ri, por mua më pëlqen sepse kuptohet që gjithsesi është ai që e komandon skuadrën në të mirë e në të keq, dhe vendos ai; heq atë që duhet të heqë dhe fut në lojë atë që duhet të fusë. Bën rotacion pa probleme dhe iu jep hapësirë thuajse të gjithë futbollistëve, që është diçka që në fund peshon’.
Milani i Allegrit, deri tani; praktikisht gjithnjë 3-5-2, dhe me mundësi 4-3-3 në zhvillim e sipër të ndeshjes
‘Këto janë numra, vetëm ne në Itali flasim kështu. Nëse dëshiron të fitojë derbin, Milani do të duhet të sulmoje; si ta bëjë këtë në mënyrën më të mirë me futbollistët që ka, askush më mirë se Allegri nuk e di.
Nëse do të ishe Leao dhe do të duhet të bëje thuajse qendërsulmuesin?
‘E di çfarë duhet të bëjë Leao? Të luajë sa më shumë topa të jetë e mundur dhe të shkojë drejt portës kundërshtare, sa më shpesh të jetë e mundur. Top, portë, gol; nuk duhet të mendohet shumë’.
Por e shikon pak më shumë konstant?
‘Jo dhe aq shumë, por kështu është ai; o i ka të gjithë kundër, ose të gjithë e ngrejnë në qiell. Kur e shoh që pushton fushën, thuajse më vjen thuajse të qesh dhe them me vete; ‘Sa keq qe nuk e bën në të gjitha ndeshjet’. I ka të gjitha mundësitë, por Leao kështu është dhe është në rregull edhe kështu’.
Një vit më parë, në derbin e kthimit the: po të isha Inzaghi, Milanit do t’i hiqja Leaon, nëse do të isha Conceiçao, Interit do t’i hiqja 8-9 lojtarë. Po sot?
‘Sot them Leao, Modric, Rabiot dhe Maignan. Dhe te Interi, 7-8 sepse Lautaron e hoqi dëmtimi
Do të peshojë më shumë mungesa e Lautaros apo ajo e Gabbias, Loftus-Cheek dhe Gimenez te Milan?
‘Lautaro është qendërsulmuesi më i fortë në Itali, është motori turbo i Interit; çfarëdo gjëje gjatë një ndeshje mund të ta zgjidhë në çdo moment. Si ai kaq i fortë është vetëm Hojlund, por luan shpesh me shpinë nga porta. Por Interi këtë radhë ka atë që i mungonte në të kaluarën; sulmues jo titullarë në lartësinë e duhur’
Dhe Pio Esposito është praktikisht titullar
‘Por nuk ka ndryshuar fakti që për fat të keq në Itali nuk dimë t’i menaxhojmë të rinjtë; një ditë është shumë i fortë dhe ditën tjetër zhgënjyes. Pio nuk është as 21 vjeç dhe udhëtimi nga Spezia te Interi është shumë shumë i gjatë, nuk janë të shumtë ata që e kanë bërë këtë’
Por e shikon të rritur?
‘Po, përndryshe ai kaq i ri nuk do t’ia dilte t’i rezistonte përballjes në nivel fizik edhe në Evrope. Pastaj, e shoh ‘më të butë’: nëse stërvitesh me më të mirët, përmirësohesh. Dhe më thonë se ka shumë dëshirë për t’u përmirësuar. Tani, kur merr topin e luan më shumë se në fillim, ka atë prekje që i duhet për të vendosur shokun e skuadrës në pozicion shënimi. Pastaj është e qartë, me atë strukture, duhet të shërbehet për karakteristikat që ka; shikon të gjithë Pio Espositon vetëm nësë i jep 7-8 krosime për çdo pjesë’
Meqë ra fjala te krosimet: Dimarco është më i miri i kampionatit?
‘Më shumë. Me një rendiment dhe vazhdimësi të tillë, është krosuesi më i mirë në Evropë; askush nuk kroson si ai. Dhe këtë vit po shënon edhe më shumë gola, sepse Inter sulmon shumë dhe me shumë futbollistë’
Ka Interi ende një prej mesfushave më të mira në Evropë?
‘Prisja pak më shumë nga të gjithë, jo vetëm nga Barella që e shohim të gjithë që është pak i rënë prej pak kohësh: është e pranueshme kjo, që nga gushti ka luajtur rreth 40 ndeshje. Por edhe Calhanoglu po vuan për të gjetur vazhdimësinë dhe kjo vihet re më shumë; kur ai është në fushë, Inter ndryshon fytyrë’
Milani, më i fortë mes shtyllave apo jo?
‘Sommer është gjithnjë një portier solid, por Maignan po bën gjëra që janë jashtë normales’.
Je i mrekulluar nga Modric?
‘Vetëm në Itali flitet kaq shumë për moshën e futbollistit. Ishte te Reali i Madridit dhe luante vetëm vitin e kaluar, jo 10 vjet më parë. Po të isha në vend të Milanit, nuk do t’i rinovoja kontratën, do t’i ofroja një kontratë 5-vjeçare’
Për Milanin, sot është më thelbësor ai apo Rabiot?
‘Pse vetëm një? Janë perfektë së bashku. Dhe një përgëzim për Allegrin që shfrytëzoi raportin që kishte me Rabiot për t’i pasur të dy lojtarët në dispozicion’
E fërshëllejnë kudo dhe të dielën do të jenë 70 mijë vetë që do ta bëjnë; do të jetë e vështirë për Bastonin?
‘Ajo që bëri ai, e bëjnë të gjithë. Telekamerat nuk falin dhe rrjetet sociale janë të tmerrshme, nxjerrin gjithçka; kemi parë video të atyre që festojnë, që shtiren sikur vdesin në fushën e lojës, ata që ngrihen menjëherë në këmbë kur shikon kundërshtarin të ndëshkohet me karton të verdhë apo të kuq. Bastoni doli në konferencë për shtyp, kërkoi ndjesë, e di që gaboi; mund të mjaftojë kjo. Dhe tifozët e Milanit do t’i fërshëllejnë të gjithë, jo vetëm atë’
Supozojmë se Milan fiton dhe shkon në -7 pikë; mund të peshojë kalendari i 10 javëve të fundit?
‘Nuk flas me ndoshta apo nëse e por. Diferenca 7 pikë do të peshonte; Inter do të duhej të humbiste 3 ndeshje e Milani vetëm të fitonte. Pastaj Interit do t’i duhet të luajë me Atalantën, Romën dhe Comon, ndërsa Milani me Napolin, Juventusin, Atalantën e Sassuolon, jemi aty-aty apo jo?
E fundit; do të preferoje të punoje më Allgrin apo me Chivun?
‘Me Klopp. Por ai nuk është më në pankinë dhe unë nuk luaj më. Kështu, fantazia mbyllet’
Top Channel