Kosova në zgjedhje të jashtëzakonshme/ Presidentja Osmani: Këtu e sollën vendin njerëz me qëllime të rrezikshme
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka mirëpritur vendimin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit dhe zgjedhjet e reja të parakohshme.
Në një reagim në rrjetet sociale, Abdixhiku shprehet se LDK do të marrë pjesë në konsultime për caktimin e datës së zgjedhjeve.
“Mbështes dhe mirëpres, siç edhe pritej, dekretin dhe qëndrimin e Presidentes së Republikës Vjosa Osmani Sadriu, për shpërndarjen e Kuvendit.
LDK vlerëson përgjegjësinë dhe qartësinë kushtetuese të treguar në këtë vendim nga ajo, në mbrojtje të rendit kushtetues dhe funksionimit normal të institucioneve të Republikës. Dështimi politik, bashkë me tendencat e rrezikshme të imponimit e improvizimit, nuk mund të prodhojnë as debate artificiale politike e as zvarritje procedurale që do ta shndërronin Republikën tonë në një vend pa norma dhe pa rregulla.
Në këtë frymë, jemi të gatshëm të marrim pjesë në konsultimet për caktimin e datës së zgjedhjeve dhe t’i drejtohemi qytetarëve për zgjidhjen e re demokratike.
Zgjedhjet nuk ishin asnjëherë alternativa e preferuar e LDK-së. Përkundrazi, ato ishin krejt të panevojshme dhe lehtësisht të shmangshme. Fatkeqësisht, apetitet për kapje njëpartiake të të gjitha pozitave shtetërore parandaluan çdo kompromis eventual. Tani vendimi i takon qytetarëve të Republikës së Kosovës. Në demokraci, fjala e fundit gjithmonë i takon sovranit“.
Top Channel