Tottenham nuk po mund të shohë dritë në fund të tunelit në Premier League angleze. Skuadra e drejtuar nga Igor Tudor humbi një tjetër derbi londinez, këtë radhë ndaj Crystal Palace në shtëpi me rezultatin 3-1.

Në pjesën e parë u pa gjithçka në fushën e lojës. Në minutën e 29, Crytal Palace shënoi me Sarr, një gol që u anulua për një pozicion jashtë loje milimetrik dhe menjëherë pas këtij momenti Tottenham zhbllokoi rezultatin me Solanken duke marrë avantazhin në 1-0. Një avantazh që nuk rezistoi shumë pasi Mickey Van den Ven shkaktoi një 11 metërsh duke u ndëshkuar edhe me karton të kuq për të lënë Tottenham në inferioritet numerik. Ismaila Sarr shkoi te pika e bardhë duke u treguar i saktë për të barazuar shifrat në 1-1.

Në minutat shtesë Crystal Palace përmbysi gjithçka duke marrë kryesimin në 2-1 me golin e Strand Larsen pas një asisti të Adam Wharton. Por telashet e Hotspurs nuk u mbyllën këtu, pasi pak çaste më vonë Sarr e ndëshkoi sërish skuadrën e Tudor duke e cuar rezultatin në 3-1, ndërkohë që në stadium tifozët nisin të braktisnin vendet e tyre.

Në pjesën e dytë Tottenham në inferioritet numerik u duk sikur kërkonte të bënte diçka në fushën e lojës por nuk kishte forcën e duhur, ndërkohë që Crystal Palace mendoi vetëm të administronte rezultatin e pjesës së parë. Në fund ndeshja u mbyll 3-1 për skuadrën e Crystal Palace 3-1 që shkon në 38 pikë, ndërsa Tottenham mbetet me 29 pikë, vetëm 1 pikë para zonës së ftohtë të rënies nga kategoria.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB