Kuvendi dy seanca në limitet kohore të afatit për Presidentin e Kosovës, PDK dhe LDK kundër propozimeve të Vjosa Osmanit
Megjithëse është zvogëluar thuajse 2 herë brenda një dekade, përsëri numri i shtetasve shqiptarë që vuajnë dënimet në burgjet greke mbetet i lartë, duke ruajtur ende vendin e parë sa u përket shtetasve të huaj.
Të dhënat për këto shifra erdhën në parlament pas kërkesës së një deputeti të partisë ultra të djathtë ‘Niki’ (Fitorja).
Më pas zëvendësministri për Mbrojtjen e Qytetarit, Giannis Lampropoulos, në kuadër të kontrollit parlamentar ka sjell statistikat mbi numrin e të burgosurve të huaj në institucionet penitenciare të Greqisë, sipas shtetësisë dhe llojit të veprës penale
Sipas të dhënave, më 29 janar 2026 në burgjet greke ndodheshin 6.939 të burgosur të huaj, nga një total prej 13.530 të burgosurish.
Siç raporton korrespondenti i Top Channel Aleksandër Marku, sa i përket shtetësisë së të burgosurve, të dhënat tregojnë se më 29 janar 2026 numrin më të madh e përbëjnë shtetasit shqiptarë, me 1.567 persona. Pas tyre renditen të burgosurit me shtetësi pakistaneze (499), egjiptiane (497), sudaneze (328) dhe afgane (303).
Sa i përket llojit të veprave penale, në fund të vitit 2025 numri më i madh i të burgosurve të huaj, 2.462 persona, mbaheshin për transportim të emigrantëve të paligjshëm. Për vepra që lidhen me trafikim lëndësh narkotike ndodheshin në burg 1.365 persona, ndërsa 602 për vjedhje.
Gjithashtu, 485 persona ishin të burgosur për grabitje, 308 për pjesëmarrje në organizatë kriminale, 244 për vrasje me dashje, 132 për përdhunim, 129 për tentativë vrasjeje, 94 për pjesëmarrje në bandë kriminale dhe 92 për qëndrim të paligjshëm në vend.
Në shënimin shoqërues, zëvendësministri thekson se Sekretaria e Përgjithshme për Politikën Kundër Krimit bashkëpunon vazhdimisht me Autoritetin Statistikor të Greqisë (ELSTAT), si dhe me organizata evropiane dhe ndërkombëtare, përfshirë EUROSTAT dhe Këshillin e Evropës, për ofrimin e të dhënave statistikore të besueshme dhe të harmonizuara.
Top Channel