Rritja e çmimit të bukës nga 120 në 150 lekë, Autoriteti i Konkurrencës nis kontrollet në Korçë

05/03/2026 11:55

Autoriteti i Konkurrencës ka reaguar menjëherë pas njoftimeve që tregojnë një rritje të çmimeve të bukës në qytetin e Korçës, ku disa ndërmarrje kanë paralajmëruar që çmimi nga 120 lekë do të shkojë në 150 lekë, një rritje mbi 25%.

Për të monitoruar situatën dhe për të verifikuar nëse kjo rritje është rezultat i një sjelljeje të koordinuar ndërmjet prodhuesve dhe shitësve, Autoriteti ka ngritur një Grup Pune dhe po kryen kontrolle në terren.

Sipas ligjit nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, çdo marrëveshje që kufizon ose shtrembëron konkurrencën, përfshirë caktimin e çmimeve, konsiderohet e paligjshme dhe mund të sanksionohet me gjobë deri në 10% të xhiros së vitit financiar të fundit të ndërmarrjes.

Njoftimi:

Autoriteti i Konkurrencës, nisur nga disa informacione në media në lidhje me njoftimin e ndërmarrjeve të prodhimit dhe shitjes së bukës në qytetin e Korçës, të cilat kanë lajmëruar të gjitha pikat e shitjes se çmimi i shitjes së bukës nga 120 lekë do të jetë 150 lekë, duke reflektuar një rritje të njëkohshme me mbi 25%, ngriti menjëherë një Grup Pune për monitorimin e këtij tregu.

Në zbatim të ligjit 9121/2003 “për mbrojtjen e konkurrencës” Autoriteti në mënyrë të menjëhershme po realizon kontrolle në terren me qëllim evidentimin nëse ky njoftim do të zbatohet nga ndërmarrjet dhe, mbi të gjitha, nëse kjo sjellje është abuzive e si rrjedhim në shkelje të ligjit nr.9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”.

Ligji nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës” ndalon të gjitha marrëveshjet të cilat kanë si objekt ose si pasojë pengimin, kufizimin ose shtrembërimin e konkurrencës në treg, veçanërisht marrëveshjet që caktojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, çmimet e blerjes ose të shitjes, apo çdo kusht tjetër tregtimi.

Sjellim në vëmendje të ndërmarrjeve të tregtimit të bukës se, shkelja e ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës” përbën kundërvajtje administrative dhe sanksionohet me gjobë, në masën deri në 10 për qind të xhiros së vitit financiar paraardhës të ndërmarrjeve të përfshira në marrëveshje të paligjshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB