Kërkesa e Osmanit për President nga populli, Komisioni Parlamentar për Legjislacion miraton amendamentet kushtetuese
Pas kërkesës së osmanit për President nga populli, PDK ka dalë kundër kurse LVV i ka mbështetur këto amendamente gjatë mbledhjes së Komisionit për Legjislacion.
Kryetari i Komisionit për Legjislacion, i cili u mblodh pas kërkesës së Osmanit për amendamente kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit, Përparim Gruda nga PDK u shpreh se shqyrtimit i ka kaluar afati.
Sipas tij, amendamentet i janë nënshtruar shqyrtimit në Gjykatën Kushtetuese 14 vjet më parë.
“Hapi i dytë është që amendamentet dërgohen në Gjykatën Kushtetuese për të shikuar nëse ato amendamente shkelin frymën dhe vlerat mbi të cilat qëndron rendi kushtetues. Pas marrjes së vlerësimit, komisioni përkatës brenda afatit 7 ditësh i paraqet.
Ne jemi pothuajse 14 vite pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Kemi tejkaluarçdo afat të shqyrtimit të atyre amendamenteve, prandaj komisioni mendoj unë nuk mundet me shqyrtu amendamentet kushtetuese një dekadë e më shumë mbrapa. Rregullorja e përcakton shprehimisht që shtatë ditë pas vendimit të Kushtetueses.
Kushtetuta e sotme nuk është e njëjtë me kushtetutën e vitit 2011. Ky propozim është i pasafatshëm. E dyta nuk mund t`i sjellë presidentja e Kosovës. Kur amendamentet kalojnë në Gjykatë Kushtetuese siç janë këto thotë se shkojnë në komisionin për legjislacion, pra gjykata i sjellë te ne e jo me nejt në sirtar 14 vite e me u sjell prej presidentes te na Nuk mund të bëhet debat e ndryshime duke e shkel kushtetutën”, tha ai në hapjen e mbledhjes së komisionit.
Nga ana tjetër LVV mbështetë amendamentet kushtetuese të propozuara nga Osmani.
“Esenciale këtu janë tri elemente. E para, pala e autorizuar që mund të propozoj amendamente që në rastin konkret presidentja e Republikës këtë autorizim e ka me kushtetutë. Elementi i dytë esencial, është që amendamentet para se të votohen nga deputetët duhet ti nënshtrohen vlerësimit nga Gjykata Kushtetuese për sa i përket pakësimit të lirive dhe të drejtave të njeriut, gjë që ka ndodhë dhe përmbushet edhe elementi i parë edhe elementi i dytë. Dhe elementi i tretë është votimi i amendamenteve kushtetuese në procedurë kushtetuese në kuptimin e votës së kërkuar, në procesin e votimit të 2/3 e deputetëve dhe të procesit të votimit të dyfishtë natyrisht. Dy elementet e para procedurale, pavarësisht kohës, janë të përmbushura.
Edhe mbledhja e komisionit për Legjislacion sonte është brenda këtij kuadri…
Sa i përket afatit kohor është krejtësisht afat operativ i Kuvendit të Kosovës i përcaktuar me rregullore dhe nuk është afat përfundimtar dhe as nuk mund të jetë as logjikisht as proceduralisht. Është afat kur më së voni mund të procedohen dhe gjithmonë në funksion të efikasitetit por kjo nuk e ndalon, do të ishte absurde të mendohej…
Ajo çfarë mbetet të ndodh është votimi në seancë pasi që komisioni për Legjislacion i ka dërguar rekomandimin. Ky është rrafshi procedural, kushtetues e juridik”, tha Adnan Rrustemi anëtar i komisionit parlamentar nga radhët e LVV.
Top Channel