Analizë nga Mentor Nazarko/ SHAH mbretit, me kandidaturën e Osmanit
Nga Preç Zogaj
Nëse do t’i vidhnin kryeministrit Rama shprehjen “panoramë mjergulle” për tablonë e tij të djeshme para deputetëve të PS-së, do të thoshim se gjëja që bërtiste qartë aty ishte kjo: Problemi në udhëkryqin e ri të vendit nuk është më korrupsioni, por akuza, SPAK-u, spartakiada e prokurorëve lart e poshtë duke prerë fleta arresti e duke shpërndarë fletë-thirrje si bileta teatri.
E keqja nuk janë vonesat me lloj- lloj marifetesh në finalizimin e aktpadive në aulën e gjykatës, por gjyqësori që është lëshuar të gjymtojë pavarësinë e Ekzekutivit dhe Parlamentit, aftësinë e tyre për të funksionuar!
“Rreziku nuk është sëmundja akoma endemike e korrupsionit dhe krimit në sistem, por kura më e dëmshme se sëmundja, një shprehje që Monteskie e ka përdorur për qeveritë e korruptuara”.
Lufta ka dalë prapa, ka dalë tepër dhe ka dalë e keqe përpara se armiku të mposhtet. Para se pandëshkueshmëria në sferat e larta të merrte ndonjë pretencë përfundimtare në aulën e gjykatës dhe baronët e korrupsionit të kastës plurale solidare të merrnin dënimin e merituar.
Kjo përmbysje e madhe e historisë nga sos korrupsionit në sos akuzës ka ndodhur pa u parë nga shqiptarët jashtë konfliktit të interesit me drejtësinë. Dhe pa u parë as nga SHBA-të, as nga Gjermania, as nga Britania e Madhe dhe asnjë vend tjetër aleat që asiston mbarëvajtjen e punës pranë institucioneve shqiptare të drejtëssië.
Kryefaktet ilustruese të këtij hyneri janë: Pezullimi i Belinda Ballukut nga prokurori i SPAK dhe gjykatësi i GJKKO, vendim të cilin vetë Rama e ankimoi në Gjykatën Kushtetuese dhe nuk e fitoi. Kërkesa e një shoqate gjyqtarësh drejtuar Gjykatës Kushtetuese për një të drejtë që ata e konsiderojnë të cënuar, por i mbetet Kushtetueses të shprehet. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për se si parlamenti ka vendosur të ndajë Komisionet Parlamentare, edhe ky një fakt sa për numër, pa peshë kur kujtojmë se Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar dhjetëra ligje e vendime të Kuvendit të Shqipërisë dhe askujt nuk i ka shkuar ndërmend të thotë se Kushtetuesja po gjymton Kuvendin. Sepse atë punë ka.
E pabesueshme.
Të tjerat, përveç temës së paraburgimeve, mendoj se janë rrumbullakosje episodesh pa adresim veç për tymnajë, konsiderata prej kryegjyqtari të përgjithshëm pa tagra, falle të tipit “po sikur ky dhe ai të dalë i pafajshëm në përfundim të gjykimit”, një ushtrim mendor dashamirës që mund të thuhet për çdo të pandehur në lëmshin tokësor, por nuk mund të jetë kurrë një argument për të frenuar drejtësinë apo për të hedhur një dru më shumë në zjarrin ku duhet të digjet drejtësia. Sepse kjo pyetje e ka përgjigjen. Edhe kur shtrohet si englendisje mendore: I dënuari zhdëmtohet financiarisht dhe moralisht, rifiton një status edhe më të nderuar sepse ndërkaq ka dalë i pastër përmes kalvarit gjyqësor, rilind politikisht me avantazhe të shtuara nëse do të dojë të vazhdojë në politikë apo në administratë.
“Të gjitha këto, në rastin më të mirë do të tingëllonin si shqetësime të përgjithshme intelektuale. Në takimin e jashtëzakonshëm të elitës së pushtetit për drejtësinë kaluan si muhabete shto ujë e shto miell në funksion të diabolizimit sa më madh të “armikut””.
Problemi real, numri i madh i të paraburgosurve, duhet adresuar me statistika të sakta për çdo prokurori dhe gjykatë. Mbi këtë bazë qeveria dhe parlamenti është dashur të ndërhyjnë me kohë për zgjidhje ligjore. Vetë kryeministri mund të ishte kujtuar më herët, me një sens reflektimi që ka nxitur burgosje të shumta për kundravajtje të vogla në mandatet e tij të mëparshme. Më mirë vonë se kurrë. Le të marrin rekomandimet e fundit nga Këshilli i Europës për këtë çështje, le të kërkojnë ekspertizë alternative diku tjetër po ta shohin të arsyeshme dhe t’i bëjnë ligj. Prokurorët dhe gjyqtarët nuk zbatojnë konsiderata, por ligjin. Mjaft me instrumentalizim shifrash sa për t’i lëshuar ca thaçme SPAK-ut dhe GJKKO-së, që siç dihet kanë një përqindje shumë të vogël të paraburgimeve.
Teksti është tradhëtari. Në fjalën e kryeministrit dominonin anatemat dhe ankesat kundër organeve të drejtësisë. Mjerisht asnjë fjali për luftën kryesisht përmes agjencive të qeverisë apo në bashkëpunim institucional me SPAK dhe prokuroritë e zakonshme kundër korrupsionit- kryefjala e qëndrimeve euroamerikane sa herë na kujtojnë sfidat për sundimin e ligjit dhe integrimin tonë në BE. Një zhbalancim skandaloz që lexon të vërtetën mes mjergullnajës: Tani që elefantët e korrupsionit janë nëpër dhoma, problemi nuk duket të jetë më pandëshkueshmëria, por ndëshkueshmëria. E gjithë kjo pa u dënuar me vendime të formës së prerë pothuajse askush deri tani nga zyrtarët dhe ish zyrtarët e lartë.
“Kryeministri e hodhi me qartë se asnjëherë tjetër dorashkën për t’i ndërruar udhë e vënë kapistall drejtësisë. E ka nisur më parë, qëkur nisi të kuptojë përmes fakteve se Reforma në Drejtësi nuk ishte miratuar për të kapur kundërshtarët, por gjithë të korruptuarit”.
Doli hapur me refuzimin e pezullimit të ish zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke e çuar çështjen në kushtetuese ku nuk fitoi. Pastaj me refuzimin e tri dorëheqjeve të saj, sipas asaj që ka thënë vetë, pastaj me “refuzimin” e dispozitave të Kodit të Procedurës penale ku mbështetet kërkesa e SPAK dhe vendimi i GJKKO për pezullim, duke dashur t’i amendojë, nisur nga një situatë hipotetike, që nuk ndodh kurrë, sikur një prokurori mund “ti teket” të pezullojë një zyrtar të lartë pa patur një aktakuzë penale të plotë kundër tij. Refuzimi në horizontin e afërt duket ai për për heqjen e imunitetit zonjës Balluku.
Katër refuzime. Një derë që rrezikon të mbyllet, ajo e integrimit në BE. Një SPAK e GJKKO që sigurisht kanë nevojë të përmirësohen, por nuk mund të sfidohen nga politika në misionin e tyre.
*Drejtor i MAPO
Top Channel