Inside Story/ Nga komunizmi në demokraci e deri te shlyerja e gjakut, historia e 92-vjeçarit të ngujuar që në moshën 8-vjeçare

04/03/2026 21:23

Mark Nikollë Biba, 92 vjeç, ka kaluar një jetë të ashpër të shënjuar nga gjakmarrja, një normë kanunore që është aplikuar shekuj më parë.

Nga koha kur nuk ekzistonte shteti ligjor, kur gjakmarrja ishte një lloj dënimi me vdekje për dorasin si formë ndëshkimi për atë që kryen vrasje.

Marku është i ngujuar. Ai jeton i vetëm në fshatin Zejmen të Lezhës, fshat ku u zhvendos pas vrasjes së babait të tij, më 1943. Asokohe ai ishte vetëm 8 vjeç. Për 11 vite, derisa arriti moshën madhore për të u kujdesën kushërinjtë.

Sot Marku është misionar i pajtimit të gjaqeve. Ai ka falur gjakun e babait, por vetëm pak vite më vonë, ra në gjak, për shkak se djali i tij kreu një vrasje.

Kokëfortë si shkëmbinjtë që e rrethojnë, ai përpiqet që çdo problemi ti japë zgjidhje duke iu referuar të drejtës zakonore. Kanuni i Lekë Dukagjinit, që ai e mban mbi tavolinë, është ligji për të. Korrupsionin në të gjitha nivelet e sistemit të drejtësisë, ai e sheh si shkakun kryesor që i beson më shumë Kanunit dhe më pak ligjit.

“Çka ndreq e drejta zakonore e shqiptarëve dhe feja nuk e ndreq asgjë tjetër, por sot nuk mund ti ndreq askush sepse është nga polici e deri tek më i madhi kërkojnë pare e me u pasunu me gjak shqiptarësh”, u shpreh Mark Nikollë Biba, i ngujuar.

Historia e Mark Nikollë Bibës është dëshmi se gjakmarrja, nuk u zhduk as gjatë viteve të monizmit. Ajo u rizgjua pas viteve 90-të, duke prodhuar konflikte që kishin rënë në gjumë për gjysëm shekulli.

‘Në vitet 60 pushteti i asaj kohe i pajtoi gjaksit, por ishte pajtim formal, sepse gjaku falet, por me një kusht qoftë edhe 5 lekë vlerë, dhe nëse nuk jepet qoftë edhe 5 lekë vlerë gjaku nuk hup kurrë’ u shpreh Mark Nikollë Biba, i ngujuar

Në trazirat e 97-ës, kur çdo gjë u duk se doli jashtë kontrolli, Marku rrëfen se vendosën të merrnin hakun e babait të vrarë 54 vite më parë. Ngjarja kishte ndodhur në fshatin Lufaj të Mirditës ku banonin të dy familjet. Konflikti kishte nisur për shkak se vrasësi refuzoi ta paguante babain e tij për një mur që kishte ndërtuar.

Së bashku me djemtë kanë rënë dakord se gjaku nuk duhej falur dhe e kanë njoftuar familjen tjetër duke i dhënë 30 ditë besë për t’iu përgjigj sipas të drejtës zakonore shqiptare. Pajtimi është kryer me ndërmjetësimin e 12 burrave dhe falja është arritur po sipas asaj që thotë kanuni, në këto raste. Familja që ka bërë vrasjen i ka dhuruar truallin e shtëpisë dhe është shpërngulur nga fshati. Po ashtu e ka dëmshpërblyer edhe për punën e papaguar të 55 viteve më parë.

“Lekë thashë nuk du për babën se nuk kam pas bab për të shit, unë dua që ai të dali nga trolli komplet siç kam dalë unë kur jam rrit, tokën e dorëzoi pagoi 7 milionë 812 mijë lekë të punës që kishte ba baba në ’42. Edhe atë ditë e sot e respektojnë njëri-tjetrin si shtëpi”, u shpreh Mark Nikollë Biba, i ngujuar.

“Ka qenë vendimi më i mirë me e fal, se si kisha me e vra unë atë që e kishte peshu baba në derë të kishës“, u shpreh Mark Nikollë Biba, i ngujuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB