Inside Story/ “I lutem hasmit të më marrë jetën para zotit, që gjaku të lahet”, deklarata tronditëse: Gati t’i dorëzohem…

04/03/2026 21:52

Marku sot është në dëshpërim.

Ai do të punojë, por nuk mundet të dalë nga shtëpia. Me një fëmijë që ka nevoja të mëdha, me gruan e vetme që përpiqet të mbajë në këmbë familjen, me djalin që e ka degdisur jashtë shtetit se ka frikë nga gjakmarrja, ai i lutet familjes së viktimës ta falë, ose ta vrasë.

“E kam pas dashamir të atin e djalit, por unë do t’i lutesha se çfarë do të dojë ai, vetëm të mbarojë kjo punë. Nuk mund ta duroj, dorëzohem vetë, vetëm të dalë e të më bëjë zë, shkoj me të, le të më vrasë, nuk e përballoj dot, as jetesën nga të gjitha anët, se çdo punë e bëj sikur me qenë duke e vjedhur. Kam dy-tre dele e shkoj vrap e me vrap e shikoj në të gjitha anët”, u shpreh Mark Pjetër Lleshi, i ngujuar.

Drejtësia e dhënë nga shteti duket se nuk e ka kënaqur familjen tjetër, e cila sipas Kanunit, kur refuzon të japë faljen, nënkupton se do të marrë gjakun. Kjo nuk është diçka që ndodh fshehtas. Të gjithë strukturat e dinë, janë në dijeni që personi është i ngujuar. Ata, thjesht presin të ndodhë, pa bërë asnjë lëvizje parandaluese.

“Organet e rendit e dinë fare mirë që familja është e ngujuar, si nuk shkohet atij dhe ti kërkojë llogari pse nuk e lë të dalë, jepi garanci me një dorëzan pse nuk bën këtë shteti, pse do të vuajë gjithë jetën ai. Ai vërtetë e ka bërë krimin, por edhe është dënuar. Kemi disa raste të tilla”, u shpreh Pjetër Gjoka, Misioni i pajtimit të gjaqeve në Lezhë.

Në kushtet kur shteti është i pafuqishëm të dëshmojë se është ai institucioni i vetëm që jep drejtësi, Marku i është dorëzuar Kanunit.

Megjithëse e ka kryer dënimin sipas ligjit, ai thotë se ka qëndruar në Shqipëri dhe nuk është larguar jashtë sepse po pret që të marrin hakun. Duket e çuditshme, por e vetmja frikë e tij është vdekja natyrale. Kjo sepse gjaku i ngelet pas dhe familja do të trashëgonte konfliktin. Ndaj, ai kërkon me ngulm që situata të marrë zgjidhje duke i ofruar jetën e tij familjes së viktimës.

“Nuk dua të lë të tjerët në gjak, nesër ndoshta vdes prej Zotit. Kur të dojë, unë jam gati për ta larë, qoftë me jetë, qoftë me lekë… S’kam ikur jashtë shtetit, dua ta laj vetë. Unë e kam bërë, unë dua ta laj. Të më vrasë mua”, u shpreh Mark Pjetër Lleshi, i ngujuar.

Historia e Markut, i cili vazhdon të jetë i ngujuar, nuk është e vetmja. Në qytetin e Lezhës identifikohen 35 familje të ngujuara. Në disa raste, autorët e vrasjeve kanë mbetur të izoluar edhe pse kanë kryer dënimin e plotë me burg. Por, nuk mungojnë rastet kur dënimi mund të jetë reduktuar për shkak të korrupsionit që motivon gjakmarrjen.

“Kemi 4-5 raste që kanë bërë dënimin, kanë dalë nga burgu dhe prapë janë të ngujuar sepse nuk kanë besë, vërtetë e kanë bërë dëmin me shtet, një pjesë e kanë bërë tamam, një pjesë me korrupsion e kanë ulur. Edhe pasi ka mbaruar dënimi, është i ngujuar sepse s’ka mbaruar çështja. Çështja është prapë e hapur”, u shpreh Pjetër Gjoka, Misioni i pajtimit të gjaqeve në Lezhë.

Ngujimi, përveç pasojave të rënda sociale, ekonomike dhe psikologjike për familjet që e vuajnë, për penalistët prodhon edhe një tjetër vepër penale.

“Fakti i ngujimit të personave prodhon edhe një tjetër vepër penale që është kanosja për gjakmarrje, dhe duke i vendosur në figura të veçanta, në vend që ta parandalojë fenomenin, e theksojmë fenomenin. E drejta penale nuk e zgjidh fenomenin; ai duhet zgjidhur që në gjenezë”, u shpreh pedagogu Andi Duraj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB