Inside Story/ “I lutem hasmit të më marrë jetën para zotit, që gjaku të lahet”, deklarata tronditëse: Gati t’i dorëzohem…
Në vitin 2022 i gjithë opinoni publik u trondit, kur Florian Përvathi një 17-vjeçar nga Lezha, ngriti armën për të marrë gjakun e babait të tij.
Drama për këtë familje nisi në vitin 2009, kur Floriani ishte vetëm 4 vjeç dhe mbeti pa të dy prindërit në të njëjtën ditë. Babai i Florianit u vra për një konflikt pronësie. Menjëherë pas ngjarjes tragjike, si pasojë e tronditjes së fortë e ëma piu fostoksinë dhe po ashtu ndërroi jetë.
I rritur në një mjedis ku gjakmarrja shihet si “burrni” dhe i ushqyer me këtë mentalitet, i mituri shkoi drejt aktit ekstrem. Ai u dënuan nga gjykata e Lezhës me 12 vite burg, por do të vuajë vetëm 8 vite, për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Andi Duraj, avokat i Përvathit rrëfen, se ky është rasti tipik kur mitizimi i një normë kanunore vret dhe shkakton viktima.
‘Kjo është një ngjarje që ka dy viktima, të ndjerin që ndërroi jetë por edhe autorin e veprës penale, një të mitur, i cili në gjykimin tin atëherë por edhe tani është viktimë i mungesës së trajtimit nga ana psikologjike’ u shpreh pedagogu, Andi Duraj
I rritur në një ambient ku frustrohet çdo ditë dhe gjakmarrja kthehet në mit, adoleshenti u detyrua të kryente veprën penale, për të cilën është i penduar dhe do ta përndjekë për gjithë jetën e vet…
“Rritur në një ambient ku gjakmarrja është kryefjalë në bisedat, i rritur në një shoqëri e cila e përmend Kanunin dhe e zëvëndëson me normat ligjore dhe shërben për zgjidhjen e konflikteve, patjetër që ka ndikuar dhe është faktori kryesor në gjykimin tim…”, u shpreh pedagogu, Andi Duraj.
“Në gjykim kishte dy psikologë, në 17 vjet se kishte ditur askush. Nëse do të kishte pasur këtë ndihmë e sigurt që nuk do të ishte kjo rrjedha, sepse nëse do ta takoni do ta kuptoni që është thjeshtë një fëmijë që ëndrrat i ndërpriten për këtë lloj frustrimi që ai ka pasur”, u shpreh pedagogu, Andi Duraj.
Mes gjithë këtyre konflikteve, nga rasti me protagonist 17-vjeçarin, ka lindur një rreze shprese. Pas takimeve të vazhdueshme me përfaqësuesit e të dy familjeve, me ndërmjetësimin e misionarëve të pajtimit të gjaqeve dhe të gjithë strukturave të tjera, familjet kanë vendosur t’i japin fund sagës së vrasjeve duke e falur gjakun.
“Fatmirësisht vetëm para dy muajsh me përpjekjen e të gjithë faktorëve është arritur një pajtim dhe të shpresojmë se kjo do të jetë një shembull për zbutjen e fenomenit, kryesisht në zonën e veriut…”, u shpreh pedagogu, Andi Duraj
Ky rast tronditës i kthyer në shembull të pajtimit, duhet të shërbejë sot si busulla për shuarjen e konflikteve të kota që zgjasin ndër dekada. Për nipër, që paguajnë për një krim të gjyshërve mbi 5 dekada më herët. Por a është e lehtë të falësh?
“E di sa e rëndë është për atë që fal. Paragjykohet dhe thotë si ta fal jetën e djalit, apo jetën e vëllait. Kemi 10-15 gjaqe të forta që kemi pajtu. Ka nana që thotë qoftë falë gjaku i djalit si burrneshat ka baba që kanë falë gjakun e të birit e familjet shkojnë ma mirë se përpara. Kemi 8 raste kështu por kemi edhe 5 raste që nuk duan”, u shpreh Pjetër Gjoka, Misioni i pajtimit të gjaqeve në Lezhë
“Falja ma e madhe vlen, ma e madhja nder dhe ma e madhja trimni që mund të ketë jeriu në jetë. Ai jeri që i thotë tjetrit qofsh falë e hasmit kafen me pi dhe i jep dorën nuk ka mirësi ma të madhe në botë. Është e vështirë me fal, por e lexon mitrësua e faljes”, u shpreh Adem Isufi, Misioni i pajtimit të gjaqeve në Shkodër.
Top Channel