Analizë nga Mentor Nazarko/ SHAH mbretit, me kandidaturën e Osmanit

04/03/2026 21:35

Nga Mentor Nazarko

Kandidatura për president e Glauk Konjufcës

Unë mendoj se ky është një vendim i detyruar dhe korrekt. Është respektim i procedurës parlamentare,  dhe kushtetutës, në pritje të raundit të parë të votimit të presidentit. Sipas Kushtetutës, duhet të jenë të paktën dy kandidatë, dhe teorikisht 4 kandidatë. Opozita nuk mund të propozojë- me numrat që ka, edhe sikur të jetë e unifikuar- më shumë sesa një kandidat (e gjysmë). Kështu, që Vetëvendosja në çdo skenar, si grup që potencialisht mund të propozonte thuajse dy, është e detyruar të regjistrojë të paktën një kandidat.

Sigurisht kjo do të thotë që negociatat kokë më kokë nuk kanë dhënë rezultat.  Ndërkohë, kandidatura duhet të quhet se i plotëson disa kushte pranueshmërie: është profil i lartë- ish kryetar parlamenti; ish ministër i jashtëm; numri dy i partisë dhe vetë opozita ka thënë vitin që shkoi se mund ta votonte për kryetar të parlamentit si figurë konsensuale. Gjykata ndërkohë thotë se nuk ka prova se ai ka futur gaz lotsjellës, kështu që ai i ka parametrat kushtetuese krejt në rregull. Ndërkohë është dikush që supozohet se është i pranueshëm nga perëndimi.

Mandati i dytë i Vjosa Osmanit 

Më duket dhe ky veprim normal- pavarësisht skenarit. LDK dhe Vetëendosja megjithë pakicat, pjesë e qeverisë nuk bëjnë dot 80 deputetë, ose rrezikojnë kuorumin, nëse do të propozonin zonjën Osmani, si ka dëftyer zoti Kurti. Ndërkohë nga negociatat duket se nuk është konvergjuar në një emër konsensual.  Ky emër duhet të vijë- nëse vjen- vetëm nga opozita. E cila duhet të arsyetojë gjatë në lidhje me pasojat e këtij propozimi. Që mua më duket se janë më shumë pro opozitës, Kosovës sesa kundra saj.

JU më pyetët a ka ajo kapital të mjaftueshëm. Varet se çka e quan kapital politik. Në qoftë se do t’I referoheshim mënyrës se si ajo e ka ushtruar mandatin, në qoftë se do t’I referoheshim mbështetjes ndërkombëtare të saj atëherë do të duhet të themi që ajo e ka maksimumin e kapitalit politik. Madje edhe në qoftë se do t’i referoheshim mbështetjes popullore, unë mendoj se ajo e ka maksimumin e kapitalit politik veçanërisht mbështetjen populllore e cila përputhet me atë që është mbështetje e Vetëvendosjes apoe dhe ndoshta pak më shumë. Në qoftë se do t’i referoheshim mbështetjes ndërkombëtare e cila duket qartësisht mbështetja amerikane, mbështetja e shteteve të Bashkimit Evropian për të ështe e qartë, është cilësore, atëherë duhet të themi që ajo e ka kapitalin politik të mjaftueshëm. Në qoftë se duhet t’i referohemi mbështetjes së partive politike atëherë këtu ka një pikëpyetje të madhe, pikërisht kjo gjë do të testohet këto dy ditë.

Natyrisht, kur vjen puna te mënyra se si e ka ushtruar ajo mandatin e saj, ka disa momente të cilat tregojnë se megjithë kundërshtitë ajo e ka patur pavarësinë apo autonominë e nevojshme për ta ushtruar mandatin. Siç duket nga mungesa e konvergjencës me Kurtin për të dekretuar emrimin e anëtarëve të caktuar të Gjykatës Kushtetuese, vakancat e papërmbushura  për një kohë të gjatë në drejtësi, apo të krerëve të misioneve diplomatike. Pra shihet se mungon konsensusi me kryeministrin apo dhe në raste të tjera. Ky është njëlloj treguesi që ajo ka ruajtur, natyrisht jo në mënyrë lineare, jo në mënyrë të themi të vazhdueshme, ka ruajtur distancën nga qeveria dhe nga kreu i pakontestueshëm i qeverisë dhe i partisë Vetëvendosje z.Kurti.

Skenari i zgjedhjeve të parakohshme

Në qoftë se do t’I referoheshim numrave, sigurisht që është reale; në qoftë se do t’i referoheshim urtësisë, përgjegjësisë që ka politika kosovare apo shoqëria kosovare, gjithë situatën e vështirë që ka kaluar, unë mendoj se ka mundësi reale. Në qoftë se do t’I referoheshim mënyrës se si politika kosovare e ka menaxhuar vitin e fundit procedurat për krijimin e institucionit- qeveri, parlamenti etj etj,është e trishtueshme se po shohim këto ditë një llojë reprize të atij shahu vetëdëmtues që ka karakterizuar formimin e institucioneve apo dialektikën demokratike të partive të Kosovës. Natyrisht, situata ështe e vështirë po të marrim parasysh kuadrin kushtetues ka Kosova për zgjedhjen e presidentit, duke marrë parasysh edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjen e tij në 2011 e cila e vështirëson shumë proceduralisht, e ngurtëson duke prodhuar krizë, duke kërcënuar me krizë ciklike. Mendoj që duhet të mbizotërojë pjekuria dhe natyrisht brenda kësaj loje shahu taktike për konsum të brendshëm ka hapësirë për të shkuar nga konsensusi. Cila do të ishte lëvizja e duhur-unë mendoj që lëvizja e duhur nga ana e partive të opozitës ështe mbledhja e votave. për zonjën Osmani. Kjo do të ishte në dukje një vetësakrifikim i opozitës e cila ka pakënaqësi ndaj saj, por ama do ta vinte në vështirësi zotin Kurti i cili nuk ka mundësi të thotë diçka në publik në këto orë të mbetura kundër zonjës Osmani e cila kuota të larta të popullaritetit në publik edhe prej mbështetësve të Vetëvendosjes.Po ashtu zoti Kurti e ka vështirë që të zgjedhi bojoktin për të pamundësuar kuorumin e votimit në raundin e parë. Kjo përpjekje apo kjo lloj loje, pavarësisht kandidaturës që do të propozonte zoti Kurti, Konjufcën apo dikë tjetër, do të impononte konsensus në raundin e dytë, nëse vërtet si thonë palët- asnjera nuk do turpërimin e radhës së Kosovës, duke shkuar në zgjedhje të parakohshme. Kosova nuk është Belgjika që të tretë krizat e zgjedhjeve të përjetshme, me faturë dëmesh të mëdha.

Çfarë ndodh pas 5 marsit

Sigurisht në qoftë se dështon do të shkohet në zgjedhje të parakohshme. Natyrisht mund të kemi lloj manovrash, ndoshta rikthimin e një eksperience të çuditshme që vetëm Kosova e ka, atë të ushtruesit të detyrës- njëlloj sporti shtetëror, një sport institucional shumë të përhapur, duke filluar nga detyra e presidentit, e kryetarit të parlamentit, detyra e kryeprokurorit, apo detyra e drejtorëve në ministri nëpër agjenci. Është një sport që për gjykimin tim është anti-juridik dhe që posaçërisht në rastin e presidentit nuk mund të ushtrohet sepse neni 90 i Kushtetutës nuk bën fjalë për një situatë si ajo që presidenti dështon të zgjidhet, por lidhet me pamundësinë e përkohshme me arsye shëndetësore. Unë mendoj që janë shancet për mos shkuar në këtë situatë sepse kjo do ta vendoste Kosovën në një dritë negative përballë bashkësisë ndërkombëtare që ka themeluar shtetsinë e Kosovës dhe ka besuar shumë tek aftësia e shoqërisë dhe politikës së Kosovës për t’u  vetëqeverisur, për t’i menaxhuar me sukses krizat që vetë i krijon, për të dialoguar së brendshmi dhe duke dialoguar me sukses se brendshmi të demostrojë që është e aftë edhe për të dialoguar së jashtmi sistemit të saj politik, kështu që le të shpresojmë që nuk do të shkohet te zgjedhjet e parakohshme.

Presidenti i duhur i Kosovës

Në qoftë se do t’i referohemi me kompetenca- Presidentit të Kosovës, kreu i shtetit është figurë që në shikim krahasues ka më shumë kompetenca se çdokush tjetër në republikat parlamentare, në rajon, në Evropë apo në gjë, qoftë në politikë të brendshme, ndoshta, qoftë në politikë të jashtme.

Kështu që mendoj që duhet një figurë, e cila të ketë spektër të gjerë aftësish,  në të dy këto rrafshe, të brendshëm dhe të jashtëm.

Në qoftë se do t’i mbahemi pikëpamjes apo gjykimit që ka shprehur populli, i cili e ka rritur mbështetjen për partinë që qeveris- Vetëvendosjen nga 41 në 51% për të në dhjetor 2025,  pra, domethënë në qoftë se besojmë që janë zgjidhur problemet e brendshme, atëherë Presidenti duhet posaçërisht të jetë dikush që e ndihmon Kosovën në integrimin ndërkombëtar të saj, në kapërcimin e izolimin ndërkombëtar të saj. Së jashtmi, pra.

Kështu që unë mendoj që zonja Osmani është e para edhe për shkak të dëshmive të suksesit të saj ndërkombëtar, që do të ishte në këtë listë. Natyrisht, nëse do të kishte figurë tjetër, e cila ka një netuork të fuqishëm ndërkombëtar,  të ishte me Perëndimin, mund të ishte Behgjet Pacolli- e them për shkak të eksperiencës me të; mund të ishte Veton Surroi natyrisht- ndonëse nuk kanë vota; edhe zoti Konjufca, ndonëse ai nuk pati mundësi si ministër të Jashtëm të tregonte aftësitë e veta, por mund të ishte një figurë, e cila me urtësinë e vet mund të kontribuonte në këtë në këtë fuqizim ndërkombëtar të Kosovës.

Natyrisht, unë besoj -për shkak të eksperiencës së së këshillimit ose të kontributit personal në një institucion si Presidenca e Shqipërisë, dhe e di që dikushi që vendoset në krye të atij institucioni, në krye të shtetit, nëse ka dinjitetin e mjaftueshëm personal, ka aftësinë që të kontribuojë edhe  në autonominë, pavarësimin dhe zhvillimin e këtij mandati në pavarësi nga institucionet e tjerë. Në qoftë se ka mjaftueshëm respekt për veten, do të zhvillojë pavarësinë nga institucionet e tjera, por do ketë edhe sens konvergjence apo uniteti institucional. Vetë posti ta imponon, rangu, protokolli, historia dhe kështu që, shpresoj pra që një politikan që do të zgjedhet president do ta zhvillojë detyrën në mënyrë të mjaftueshme, qoftë në sensin e pavarësisë, qoftë atë të unitetit institucional shtetëror që karakterizon shtetet normale, shtetet e pjekur demokratikisht. Kaq i duhet Kosovës, që nuk do merret me  Iranin se me të merret Amerika, por tash për tash ka prioritet planin ndërkombëtar të qeverisjes së saj.

Osmani, me çfarë ka arritur kohët e fundit, me anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes, kur Serbia u injorua qëllimisht nga SHBA-të- nuk di pse Parlamenti nuk po e voton këtë anëtarësim, në vijimësi me aktivitetin e saj ndërkombëtar i ka shërbyer subjektivitetit të Kosovës së jashtmi.  Ndaj opozita duke i shërbyer Kosovës, nëpërmjet propozimit të saj me 30  apo mbi 40 vota, do t’i shërbente dhe vetes. Pse?

Opozita duhet të ngrihet mbi vetëveten; të mendojë strategjikisht; të tentojë të marrë vota në bahçen e VV, njëjtë si ka bërë Kurti pragmatik (madje dhe tani me familjen Jashari apo Hoti) duke u sjellë ca muaj si rugovist, ca si PDK-ist, ca si vetëvendosës, duke mbërritur në shifra mbështetje elektorale si këto që ka. Ky hap strategjik i opozitës, ky shah i saj, përballë shahistit Kurti, do ta vendosë atë në vështirësi, sepse ai nuk mund ta refuzojë dot Osmanin dhe as të pamundësojë  destruktivisht kuorumin për raundin e dytë. Osmani- nëse zgjidhet do të tregojë në mandatin e dytë me siguri më shumë autonomi sesa në mandatin e parë dhe do t’i ndihet borxhli opozitës. Një dinamikë tjetër e brendshme do të krijohej, por mbi të gjitha Kosova do të kishte derën e hapur për perëndimin. Unë besoj fuqishëm se dhe zoti Kurti do të sillet në mënyrë racionale ndaj perëndimit në mandatin e tij të dytë, por tandemi i dy udhëheqësve me eksperiencë Kurti-Osmani që e do dhe elektorati i VV do të ishte garanci. Kandidatët e tjerë pa eksperiencë ndërkombëtare, që do të ishin produkt i një partie do të thellonin krizën politike në Kosovë dhe do të linin perëndimin pa adresë në krye të shtetit që vetë perëndimi e krijoi. Ndërsa kandidatët që qarkullojnë apo vetëpropozohen, janë pjesë e dekorit taktik që dikush i sajon në kohëra si këto…

Top Channel

DIGITALB DIGITALB