Izraeli avancon në operacionin tokësor në Liban, IDF jep urdhrin për evakuimin e plotë të banorëve
Marrëdhënia mes presidentit amerikan, Donald Trump dhe kryeministrit britanik Sir Keir Starmer, e cila deri vonë shihej si funksionale pavarësisht dallimeve politike, ka hyrë në një fazë të ndjeshme pas përplasjes mbi përdorimin e bazave britanike për operacionet amerikane kundër Iranit.
Siç vëren The Times, në fillim të mandatit të tyre paralel, shumë analistë në Londër dhe Uashington shprehën habi për faktin se dy liderë me profile kaq të ndryshme politike po arrinin të ruanin një komunikim të qetë dhe korrekt. Presidenti amerikan e kishte cilësuar Starmer si “fitues”, ndërsa Britania kishte arritur një marrëveshje tregtare me SHBA-në përpara disa vendeve të tjera aleate. Në qarqe pranë administratës, madje ishte krijuar ideja se marrëdhënia personale mes tyre ishte mjaftueshëm solide për të përballuar dallimet politike.
Megjithatë, situata mori një kthesë kur Downing Street fillimisht refuzoi të jepte autorizim për përdorimin e bazave britanike për të kryer sulmet ndaj Iranit. Nga Zyra Ovale, presidenti amerikan reagoi me tone të ashpra, duke u ankuar për vonesat dhe duke kritikuar drejtpërdrejt Starmer. Ai la të kuptohet se raporti mes dy vendeve ishte dëmtuar, ndërsa figura të larta republikane e përforcuan mesazhin, duke akuzuar aleatët tradicionalë për hezitim në përdorimin e forcës.
Përplasja vjen në një moment kur brenda vetë administratës amerikane ka pasur mesazhe të ndryshme për arsyet e veprimeve ndaj Iranit. Disa zyrtarë kanë theksuar se synimi kryesor ishte ndalimi i programit bërthamor iranian, të tjerë kanë sugjeruar se SHBA-të vepruan për të mos mbetur pas iniciativave të Izraelit ndërsa herë pas here është përmendur edhe mundësia e ndryshimit të regjimit në Teheran. Këto sinjale të përziera kanë shtuar pasigurinë mes aleatëve evropianë.
Britania, nga ana e saj, e konsideroi fillimisht kërkesën amerikane si një skenar të mundshëm dhe jo si një operacion të menjëhershëm. Vetëm pasi SHBA-të nisën veprimet, Londra rishikoi pozicionin dhe ofroi mbështetje. Por në Uashington, veçanërisht mes figurave më të ashpra të administratës, reagimi i parë u perceptua si mungesë vendosmërie. Edhe deklarata e Starmer se “ndryshimi i regjimit nuk mund të bëhet nga qielli” u interpretua nga disa si kritikë e drejtpërdrejtë ndaj qasjes së presidentit.
Në planin e brendshëm, Starmer përballet me një balancë të vështirë. Një pjesë e konsiderueshme e Partisë Laburiste dhe e elektoratit të saj kërkon një distancim më të qartë nga presidenti amerikan, sidomos pas deklaratave të tij të mëparshme për NATO-n dhe rolin e aleatëve evropianë. Në të njëjtën kohë, interesat strategjike dhe të sigurisë e detyrojnë Londrën të ruajë një marrëdhënie funksionale me Uashingtonin.
Nga ana tjetër, administrata amerikane duket se ka më shumë afërsi ideologjike me të djathtën britanike sesa me qeverinë aktuale laburiste. Kjo nënkupton se, edhe nëse raporti personal mes presidentit dhe Starmer ftohet, interesi amerikan për të ndikuar në zhvillimet politike në Britani mbetet i lartë. Lëvizja MAGA (Make America Great Again) e sheh Mbretërinë e Bashkuar si një terren me rëndësi kulturore dhe strategjike, përtej marrëdhënies me qeverinë aktuale.
Pavarësisht tensioneve, kanalet diplomatike mes dy vendeve mbeten të hapura dhe bashkëpunimi në fushat kyçe, nga inteligjenca te mbrojtja. Megjithatë, ky episod ka ngritur pikëpyetje mbi qëndrueshmërinë e “marrëdhënies së veçantë” në një kohë kur politika amerikane po bëhet gjithnjë e më e paparashikueshme dhe Evropa po kërkon më shumë autonomi strategjike.
Në javët në vijim do të bëhet e qartë nëse kjo përplasje ishte thjesht një moment tensioni i lidhur me krizën iraniane apo shenja e një krisjeje më të thellë në raportet mes Londrës dhe Uashingtonit. Për Sir Keir Starmer, sfida kryesore do të jetë të ruajë interesat britanike pa e çuar marrëdhënien me Shtëpinë e Bardhë drejt një përçarjeje.
Top Channel