Në bisedën me Presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, kryeministri Rama theksoi qëndrimin e Shqipërisë kundër sulmeve iraniane, që synojnë territorin e shumë vendeve të Lindjes së Mesme. Kreu i qeverisë shqiptare u shpreh se sulmet e Teheranit përbëjnë shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe Kartës së OKB-së.
“Shqipëria qëndron në krah të Emirateve të Bashkuara Arabe, me qëllim mbrojtjen e sovranitetit dhe sigurisë së tyre”, është shprehur kryeministri Rama gjatë bisedës telefonike me Presidentin Mohamed bin Zayed Al Nahyan, siç raportojnë mediat në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Kryeministri Edi Rama ka nënvizuar nevojën e ndalimit të përshkallëzimit, në mënyrë që të shmanget zgjerimi i konfliktit, gjë që do ta çonte Lindjen e Mesme në një fazë të rrezikshme paqëndrueshmërie e trazirash, me pasoja për paqen dhe sigurinë rajonale, por duke prekur edhe interesat globale.
Lufta në Lindjen e Mesme vijon prej tre ditësh, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraelin që goditën e vranë udhëheqësit më të lartë të Iranit dhe kundërpërgjigjen e Teheranit me sulme në të gjithë rajonin.