Zgjidhje konkrete për sfidat e përditshme të qytetit u prezantuan nga nxënësit e gjimnazit “Gjergj Kastrioti” në Durrës gjatë një panairi të organizuar nga shkolla.
Idetë prekin menaxhimin e mbetjeve, digjitalizimin e adresave, energjinë e pastër dhe teknologjinë në arsim.
Të rinjtë paraqitën projekte të ndryshme që mund të përmirësojnë jetesën në komunitet, nëse mbështeten nga pushteti vendor, ndërsa 3 projekt-idetë më të mira do të përfaqësojnë gjimnazin në festivalin shkencor që do të organizohet nga Ministria e Arsimit në shkallë vendi.
“Koshi Inteligjent” është një sistem që mat nivelin e mbushjes së koshave dhe ndihmon në përmirësimin e shërbimit të pastrimit, duke synuar uljen e ndotjes.
Ndërkaq projekti “Korridori i gjelbër” propozon vendosjen e paneleve diellore përgjatë linjës urbane Durrës-Plepa, për të siguruar energji të pastër dhe për të ulur shpenzimet në transportin publik.
Edhe pa një godinë të re, pasi u dëmtua nga tërmeti dhe mësimi zhvillohet pasdite në një shkollë 9-vjeçare, gjimnazi “Gjergj Kastrioti” vazhdon të nxisë krijimtarinë dhe përkushtimin e nxënësve ndaj çështjeve komunitare.
Top Channel