‘Finalissima’, ndeshja e organizuar nga FIFA mes Spanjës dhe Argjentinës, skuadrave kampione të Evropës dhe Amerikës Latine, e programuar për t’u zhvilluar në 27 mars në Katar, është në rrezik për shkak të luftës në Lindjen e Mesme.

Konflikti në rajon, pas sulmeve amerikane dhe izraelite mbi Iran dhe kundërsulmeve të Iranit kundër vendeve të tjera të Lindjes së Mesme me baza amerikane, detyroi qeverinë e Katarit të pezullojë të gjitha aktivitetet sportive në vend.

Sipas të përditshmes spanjolle ‘Sport’, pezullimi i aktiviteteve ka të bëjë edhe me dy ndeshjet që skuadra e Spanjës ka programuar të luajë në Katar; Finalissiman me Argjentinën dhe miqësoren me Egjiptin. Po kështu u pezulluan edhe ndeshjet mes Arabisë Saudite dhe Egjiptit, Katar-Serbi, Serbia-Arabi Saudite dhe Katar-Argjentine.

Por jo vetëm kaq, janë pezulluar të gjithë kampionatet kombëtare dhe ndërkombëtare. Në një komunikatë, Federata e Futbollit në Katar bëri të ditur se do të publikojë datat e reja të ndeshjeve edhe pse gjithçka do të varet nga evoluimi i konfliktit të armatosur që imponoi mbylljen e hapësirës ajrore të Katarit.

Ndërkaq, si Federata Spanjolle e Futbollit ashtu edhe ajo Argjentinase, janë në pritje të njoftimeve dhe më pas do të duhet të marrin një vendim për këto ndeshje duke qenë se ato të fundit të muajit mars janë të vetmet të disponueshme përpara Botërorit të SHBA, Meksikës dhe Kanadasë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB