“Jam shumë i zhgënjyer nga ai”/ Pas deklaratës së Trump, reagon Starmer: Nuk besojmë se regjimi mund të ndryshojë nga ajri

02/03/2026 18:56

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, deklaroi se vendi i tij nuk do t’i bashkohet sulmeve amerikano-izraelite kundër Iran, duke theksuar se Britania “nuk beson në ndryshim regjimi nga ajri”.

Starmer mbrojti përdorimin e bazave britanike vetëm për qëllime mbrojtëse, duke thënë se kjo është “mënyra më e mirë për të mbrojtur interesat dhe jetët britanike”.

Sipas The Guardian, deklarata e tij vjen pas kritikave nga presidenti amerikan, Donald Trump, i cili u shpreh i “zhgënjyer” me vendimin e Londrës për të mos lejuar përdorimin e bazave britanike për sulme ndaj Iranit. Megjithatë, Starmer theksoi se është detyra e tij të vendosë në përputhje me interesin kombëtar të Britanisë.

Ai bëri të ditur se avionë britanikë janë angazhuar për mbrojtje, ndërsa bazat po përdoren vetëm për qëllime defensive, pas sulmeve hakmarrëse të Iranit ndaj aleatëve në rajon.

Sipas tij, një dron iranian që i drejtohej një baze koalicioni në Irak, ku ndodheshin edhe forca britanike, u ndalua nga Forcat Ajrore Mbretërore (RAF). Një tjetër dron u lëshua drejt bazës britanike RAF Akrotiri në Qipro.

Ministri i Mbrojtjes, John Healey, deklaroi se dëmet ishin minimale, por familjet që jetonin në bazën RAF Akrotiri do të zhvendosen përkohësisht në zona të tjera në Qipro për arsye sigurie.

Starmer nuk shprehu kundërshtim të drejtpërdrejtë ndaj valës fillestare të sulmeve amerikano-izraelite, të cilat sipas raportimeve vranë udhëheqësin suprem të Iranit, Ali Khamenei, dhe zyrtarë të tjerë të lartë iranianë. Megjithatë, Britania nuk lejoi përdorimin e bazave të saj ajrore, përfshirë Diego Garcia, për shkak të dyshimeve mbi bazën ligjore të sulmeve.

Në fund, Starmer deklaroi se qeveria po punon për të ndihmuar qytetarët britanikë të bllokuar për shkak të mbylljes së hapësirës ajrore që të kthehen sa më shpejt dhe në mënyrë të sigurt në atdhe, ndërsa Ministria e Jashtme do të dërgojë ekipe të posaçme në rajon, veçanërisht në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB