Gjykata e Durrësit lë në burg ish-drejtorin e AKU, kërcënoi punonjësit

02/03/2026 09:56

Gjykata e Durrësit e vleftësoi të ligjshëm arrestimin në flagrancë të shtetasit Elton Varaku, ish-drejtor i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), dhe caktoi ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”.

Seanca u zhvillua pa praninë e kamerave. Gjatë shqyrtimit të masës, Varaku ka kërkuar falje për veprimet e tij, ndërsa avokati mbrojtës është shprehur se bëhet fjalë për një reagim të çastit. Prokuroria e akuzon për “shkatërrim prone” dhe “kanosje”.

Ish-drejtori u arrestua të premten pas një incidenti të ndodhur në ambientet e AKU-së në Durrës. Sipas policisë, ai dyshohet se ka kanosur me fjalë specialisten e komanduar në detyrën e drejtorit, si edhe punonjës të tjerë të institucionit, duke dëmtuar njëkohësisht objekte pune brenda zyrave.

Nga të afërm e bashkëpunëtorë të tij, bëhet me dije se prej disa kohësh Varaku ka shfaqur sjellje të paqëndrueshme dhe agresive që kërkojnë trajtim të specializuar mjekësor. Nëntë ditë para arrestimit, Policia e Shijakut kishte gjetur në automjetin e tij armë të ftohta, si thika, hanxharë dhe sëpatë, duke nisur procedim penal në gjendje të lirë. Pas kësaj, ai ishte pezulluar nga detyra.

Megjithatë, kjo rrethanë nuk është trajtuar në seancën për masën e sigurisë, e cila u fokusua në ngjarjen e fundit të ndodhur brenda institucionit. Hetimet vijojnë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB