LIVE/ Dita e dytë e sulmit amerikano-izraelit ndaj Iranit. Vriten Khamenei dhe Ahmadinexhad. Teherani hakmerret ndaj Emirateve. Rusia reagon ashpër, BE thërret mbledhje urgjente

01/03/2026 14:35

Konflikti mes Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit kundër Iranit ka hyrë në ditën e dytë, duke shënuar një përshkallëzim dramatik të situatës në rajon. Pas konfirmimit të vdekjes së liderit suprem, Ajatollah Ali Khamenei, Teherani ka paralajmëruar hakmarrje të ashpër.

Garda Revolucionare deklaroi se do të ndërmarrë “operacionin më të egër ofensiv në historinë e vendit”, ndërsa njoftoi nisjen e sulmeve me raketa dhe dronë në shkallë të gjerë ndaj 27 bazave ushtarake amerikane dhe objektivave izraelite në rajon.

Nga ana tjetër, Forcat Mbrojtëse të Izraelit konfirmuan një valë të re bombardimesh ndaj objektivave në Teheran. Forcat Ajrore Izraelite po kryejnë një operacion ajror në shkallë të gjerë kundër “objektivave të regjimit iranian në zemër të kryeqytetit”.

Televizioni shtetëror iranian raportoi për vrasjen e Shefit të Shtabit të Forcave të Armatosura, Abdolrahim Musavi, si dhe të Ministrit të Mbrojtjes, Aziz Nasirzadeh. Mes viktimave të konfirmuara janë edhe Komandanti i Gardës Revolucionare, Mohammad Pakpur, dhe Sekretari i Këshillit të Mbrojtjes, Ali Shamkhani.

Po ashtu, agjencia “Fars” njoftoi se gjatë sulmeve u vra edhe shefi i inteligjencës së policisë iraniane, Gholamreza Rezaian. Irani ka shpallur ndalimin e hyrjes së anijeve amerikane në Gjirin Persik dhe pezullimin e tregtisë përmes Ngushticës së Hormuzit.

Në Emiratet e Bashkuara Arabe, Ministria e Mbrojtjes raportoi se Irani lëshoi 137 raketa dhe 209 dronë. Tensionet u reflektuan edhe në Pakistan. Në qytetin portual të Karaçi, qindra protestues pro-iranianë u përpoqën të sulmonin konsullatën amerikane. Të paktën tetë persona humbën jetën dhe disa të tjerë u plagosën gjatë përplasjeve me policinë, e cila përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.

Kundër sulmeve kanë reaguar disa vende europiane, ndërsa e ngarkuara e BE-së për Politikën e Jashtme Kaja Kallas ka thirrur për të dielën  mbledhjen e jashtëzakonshme online të ministrave të jashtëm të BE-së. “Sulmet e regjimit iranian pa dallim ndaj fqinjëve bartin rrezikun e përfshirjes së rajonit në një luftë të zgjeruar”, shkruan Kallas në platformën X. Është vendimtare, që lufta të mos përhapet më tej, nënvizon ajo.

16:14 Konfirmohen viktimat e para të SHBA-së/ Tre ushtarë amerikanë të vrarë, pesë të plagosur rëndë, Trump: Kjo ndodh në çdo luftë

Tre anëtarë të shërbimit amerikan janë vrarë në aksion. Këto janë viktimat e para të konfirmuara që prej nisjes së sulmeve amerikane ndaj Iranit të shtunën. Pesë ushtarë të tjerë janë plagosur rëndë, sipas ushtrisë amerikane. Duke shpallur operacionin e SHBA-së kundër Iranit, presidenti Donald Trump paralajmëroi se “jeta e heronjve amerikanë mund të humbasë dhe mund të kemi viktima. Kjo ndodh shpesh në luftë”.

16:12 Sulmi në një shkollë vajzash në Iran, shkon në 153 numri i të vrarëve

Ka shkuar në 153 numri i viktimave nga sulmet që goditën një shkollë vajzash në qytetin e Minabit në Iran. Sipas autoriteteve iraniane, shkolla ndodhej rreth 600 metra larg një baze të Gardës Revolucionare Islamike dhe është goditur nga tre sulme me raketa. Megjithatë theksohet se, numri i viktimave nuk është konfirmuar në mënyrë të pavarur nga organizatat ndërkombëtare të lajmeve, pasi aksesi i mediave të huaja në Iran është i kufizuar.

15:45 Vrasja e Ali Khamenei-t, ministri i Jashtëm i vendit: Udhëheqësi i ri Suprem do të zgjidhet brenda dy ditësh

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, ka deklaruar se një udhëheqës i ri suprem i vendit mund të zgjidhet brenda një ose dy ditësh, pas vdekjes së Ali Khamenei. Araghchi tha se Teherani ka shpallur një udhëheqje të përkohshme, e cila do të ushtrojë kompetencat drejtuese deri në përzgjedhjen e liderit të ri suprem.

15:18 Sulmi me dron ndaj hotelit luksoz në Dubai/ Turistët rrëfejnë momentet e tmerrit: Vrapuam për t’u strehuar, por…

Një sulm me dron goditi hotelin luksoz Fairmont The Palm në zonën Palm Jumeirah, duke shkaktuar panik mes turistëve dhe dëme të dukshme në fasadën e ndërtesës. Autoritetet mbyllën zonën menjëherë pas ngjarjes, ndërsa ekipet e emergjencës pastruan xhamat e thyer në rrugë.

15:02 Bombardimet e SHBA dhe Izraelit në Iran, vritet ish-Presidenti Mahmoud Ahmadinejad dhe disa truproja të tij

Mahmoud Ahmadinejad, i cili shërbeu si president i Iranit nga viti 2005 deri në vitin 2013, u vra në sulmin ajror amerikano-izraelit.

14:36 Tensionet në Gjirin Persik, sporti pëson kolaps, pikëpyetje edhe për Finalissima

Tensionet në Gjirin Perisk që u përshkallëzuan me konfliktin në Iran pas sulmeve të SHBA dhe Izrael dhe pas kundërpërgjigjes së Iranit që sulmoi Bahreinin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katarin apo Kuvajtin kanë bërë që sporti të bjerë në kolaps me kompeticionet që janë pezulluar.

14:19 Top Channel në frontin e luftës/ Një raketë balistike goditi një banesë në afërsi të Jerusalemit

Korrespondenti i Top Channel Artur Bibe, së bashku me ekipin kanë mbërritur në Tel-Aviv, aty ku është hapur një front i ri luftë pas kundërpërgjigjeve të Iranit.

13:32 Frika e Roberto Mancinit në Doha: Alarm në gjuhën arabe në telefon dhe më pas zhurma e shpërthimeve

Pas sulmeve të SHBA dhe Izraelit ndaj Iranit, përgjigjja e këtij të fundit ishte duke goditur disa vende në Lindjen e Mesme mes të cilëve ishte edhe Katari ku punon edhe ish trajneri i kombëtares italiane, Roberto Mancini.

13:10 Pas vdekjes së udhëheqësit suprem të Iranit, Alireza Arafi emërohet përkohësisht lideri i ri

Izraeli ka nisur një valë sulmesh ajrore në zemër të Teheranit, ndërsa autoritetet iraniane kanë emëruar një udhëheqës të përkohshëm për të mbajtur rolin e Udhëheqësit Suprem, Ayatollah Ali Khamenei, deri sa të zgjidhet pasardhësi i tij.

12:40 Kaosi në Lindjen e Mesme, frikë për D’Ambrosion dhe familjen e tij: U hodhën 3 raketa mbi kokat tona, të terrorizuar por jemi mirë…

Ditën e shtunë SHBA dhe Izraeli nisën një operacion të përbashkët kundër Iranit. Teherani reagoi duke goditur me raketa bazat amerikane në Katar, Bahrein, Kuvajt dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. mes qyteteve që u vunë në shënjestrën e sulmeve iraniane figuron edhe Dubai ku kishte shkuar Danilo D’Ambrosio dhe familja e tij për pushime, por që tani kanë mbetur të bllokuar.

12:33 Vrasja e udhëheqësit suprem Khamenei, Putin reagon për herë të parë: Vrasje cinike, shkel të gjitha normat e moralit njerëzor

Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka quajtur vrasjen e udhëheqësit suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, një “vrasje cinike” që shkel “të gjitha normat e moralit njerëzor dhe ligjin ndërkombëtar”, raporton agjencia shtetërore ruse TASS.

12:19 Vrasja e komandanit Pakpour, Irani emëron kreun e ri të Gardës Revolucionare Islamike

Ahmad Vahidi është emëruar komandant i ri i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, pas vrasjes së komandantit të mëparshëm, Gjeneral Mohammad Pakpour, gjatë sulmeve të koordinuara amerikano-izraelite të së shtunës.

12:11 Një i vrarë dhe 11 të plagosur në aeroportet e Dubait dhe Abu Dabit pas sulmeve iraniane

Një person ka humbur jetën dhe 11 të tjerë janë plagosur në aeroportet e Dubait dhe Abu Dabit, pas sulmeve të Iranit në Lindjen e Mesme, si hakmarrje ndaj një ofensive të SHBA-së dhe Izraelit që nisi të shtunën mëngjes.

12:02 Pas eliminimit të Khameneit, vriten vajza, dhëndri dhe mbesa e liderit suprem

Mediat shtetërore iraniane raportuan se vajza, dhëndri dhe mbesa e Udhëheqësit Suprem, Ayatollah Ali Khamenei, janë vrarë gjatë sulmeve të kryera nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli.

11:58 Ekskluzive/ 1500 shqiptarë në Dubai, reagon për TCH ambasadori Kurtezi në Emiratet e Bashkuara: S’ka vend për panik

Ambasadori shqiptar në Emiratet e Bashkuara, Ridi Kurtezi, thotë se në Dubai, por edhe në qytete të tjera ndodhen rreth 1500 shqiptarë. Në një interviste ekskluzive me gazetarin e Top Channel Muhamed Veliu, ai thotë se ka pasur koordinim të vazhdueshëm me ministrinë e jashtme dhe për momentin nuk është nevoja për evakuim emergjent.

11:41 Irani shpall 40 ditë zie pas vrasjes së Khameneit, mbështetësit e liderit qajnë me dënesë

Irani do të mbajë 40-ditë zi për vrasjes së Udhëheqësit Suprem, Ayatollah Ali Khamenei, gjatë sulmeve të vazhdueshme nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli, sipas mediave shtetërore iraniane.

11:15 Video/ Protestues pro Iranit sulmojnë konsullatën amerikane në Karaçi, 6 të vrarë dhe 20 të plagosur

Gjashtë protestues janë vrarë dhe 20 të tjerë janë plagosur pas sulmit ndaj konsullatës amerikane në qytetin port të Karaçit, Pakistan.

10:22 Irani në kundërsulm, presidenti Trump paralajmëron: Do t’i godasim me një forcë që nuk është parë kurrë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka paralajmëruar Iranin të mos ndërmarrë hakmarrje ndaj SHBA-ve ose Izraelit, duke kërcënuar me një goditje “që nuk është parë kurrë më parë”.

10:02 Merz, Macron dhe Starmer dënojnë sulmet e Iranit në rajon/ E ngarkuara e BE-së për Politikën e Jashtme thërret mbledhje të jashtëzakonshme

Mbledhje krize e ministrave të Jashtëm të BE-së për zhvillimet lidhur me Iranin: Vendet europiane reagojnë ndaj sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit si dhe kundërsulmeve të Teheranit në rajon.

09:23 Kush do e zëvendësojë udhëheqësin suprem të Iranit? Presidenti Trump: Ka disa kandidatë të mirë

Pas vrasjes së udhëheqësit suprem Ali Khamenei në një operacion të përbashkët SHBA-Izrael, presidenti Donald Trump deklaroi se ekzistojnë disa “kandidatë të mirë” për të marrë drejtimin e Iranit.

09:06 Video/ Spikeri i televizionit iranian shpërthen në lot teksa njofton vdekjen e Khameneit

Një spiker në televizionin shtetëror iranian shpërtheu në lot ndërsa lexonte deklaratën për vdekjen e Udhëheqësit Suprem, Ajatollahut Ali Khamenei.

08:41 Rama reagon për sulmet e Iranit drejt Emirateve të Bashkuara Arabe: Synimi i një oaze paqeje si Dubai me raketa urrejtjeje dhe shkatërrimi…

Kryeministri Edi Rama dënoi sulmet e Iranit kundër Emirateve të Bashkuara Arabe duke i quajtur ato si një sulm ndaj stabilitetit, prosperitetit dhe vetë idesë se Lindja e Mesme mund të përcaktohet nga paqja dhe bashkëpunimi, e jo nga lufta dhe kaosi.

08:37 Irani konfirmon vrasjen e ministrit të Mbrojtjes dhe shefit të Shtabit të Përgjithshëm

Irani ka konfirmuar se ministri i Mbrojtjes dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura u vranë gjatë sulmeve të ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli ndaj Irani të shtunën, sipas mediave shtetërore iraniane.

08:27 Departamenti Amerikan i Shtetit paralajmëron qytetarët: Shmangni udhëtimet drejt Bahreinit

Departamenti Amerikan i Shtetit ka përforcuar paralajmërimin për udhëtimet drejt Bahrain dhe ka lejuar largimin e personelit jo-emergjent të qeverisë së Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe të familjarëve të tyre, nga vendi, “për shkak të rreziqeve të sigurisë”.

08:15 Sulmet e nisura nga Irani, 8 persona mbetën të plagosur në Katar

Ministria e Brendshme e Katarit tha se tetë persona u plagosën këtë mëngjes në sulmet iraniane ndaj vendit, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të plagosurve në 16 që nga fillimi i sulmeve një ditë më parë.

03:37 Irani e pranon: Ali Khamenei u vra në zyrën e tij ku po kryente detyrat shtetërore

Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, u vra në kompleksin e tij në kryeqytetin Teheran, raportuan mediat shtetërore iraniane. Khamenei u vra “në zyrën e tij në rezidencën e udhëheqësit” ndërsa “po kryente detyrat e tij” në momentin e sulmit herët të shtunën, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve Fars News Agency.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB