“Artistët ishin traumatizuar”/ Sulmi ndaj vilës së diktatorit Enver Hoxha, reagon Rama: Gjykatësit që i lirojnë këta zjarrvënës të rrezikshëm janë bashkëpërgjegjës

01/03/2026 12:04

Kryeministri Edi Rama ka vizituar ish vilën e diktatorit Enver Hoxha pas sulmit, duke takuar të rinjtë që ishin të pranishëm në momentin e hedhjes së molotovëve.

Në një reagim në rrjetet sociale, kryeministri fajëson edhe gjykatësit që tolerojnë zjarrëvënësit. Ai shkruan se i gjeti artistët të traumatizuar nga barbaria e mbrëmshme.

“Sapo dola nga rezidenca e artistëve në ish-shtëpinë e diktatorit, ku prej kohësh tanimë fondacioni prestigjoz Art Explora mikpret të rinj të talentuar nga Shqipëria, Kosova e mbarë bota, të cilët i gjeta të traumatizuar nga çmenduria e barbarisë së mbrëmshme. Një sulm i verbër i një grushti të verbërish të paguar për të frikësuar qytetin dhe njollosur Shqipërinë, nën udhëheqjen e një ligësire kriminale tetëdhjetë e kusur vjeçare, që mban nga pas ca hunj gardhi me status deputeti, e që vjen vërdallë si i marri i lagjes nëpër Tiranë, ndërkohë që s’ia var më thuajse askush!

Gjykatësit që i lirojnë këta zjarrvënës të rrezikshëm, sa herë arrestohen nga policia janë bashkëpërgjegjës për këto vandalizma të pandodhura askund në Europë me bekimin e nën hyqmin e një partie parlamentare, në selinë e të cilës nuk flitet për ide e programe, po bëhen vetëm plane dhune dhe bomba artizanale! Turp për çdo gjykatës që rinxjerr në rrugë këta keqbërës të Shqipërisë dhe turp për qeverisjen e gjyqësorit që rri e vështron sikur Shqipëria nuk është edhe atdheu i saj”-shkroi Rama.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB