Trump pyetet për lajmet e vrasjes së Khameneit: Besoj se është e vërtetë
SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulme ndaj Iranit të shtunën në mëngjes, pas asaj që ushtria izraelite e përshkroi si muaj të tërë “planifikimi të përbashkët”. Izraeli tha se sulmet e tij kishin në shënjestër udhëheqësin suprem të Iranit, presidentin dhe kreun e forcave të armatosura.
Presidenti Donald Trump e përshkroi fushatën ushtarake të SHBA-së si “masive dhe në vazhdimësi”. Ai u bëri thirrje iranianëve të “marrin në dorë qeverinë tuaj”. Trump gjithashtu akuzoi Teheranin se po punonte për të rindërtuar programin e tij bërthamor pas sulmeve masive të SHBA-së verën e kaluar, për të cilat më parë kishte pretenduar se i kishin shkatërruar plotësisht objektet. Irani thotë se programi i tij bërthamor ka qëllime paqësore.
Teherani iu përgjigj sulmeve duke ndërmarrë një valë të paprecedentë goditjesh drejt Izraelit dhe objektivave amerikane në të gjithë Lindjen e Mesme. Shpërthime u raportuan në disa vende, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreinin dhe Katarin.
Operacioni izraelito-amerikan u krye nga forcat ajrore të izraelit. Ministri i Mbrojtjes së Izraelit njoftoi një sulm parandalues ndaj Iranit. Mediat iraniane kanë konfirmuar shpërthimet.
Në kohën e sulmit, IDF lëshoi një paralajmërim kombëtar për të gjithë qytetarët që të qëndrojnë pranë zonave të mbrojtura.
“Ky është një paralajmërim paraprak me qëllim përgatitjen e publikut për mundësinë e lëshimit të raketave drejt shtetit të Izraelit”, tha IDF.
Agjencia iraniane e lajmeve Fars raportoi tre shpërthime në qendër të Teheranit. Tym i dendur po ngrihet nga qendra e Teheranit, raportoi agjencia iraniane ISNA.
FARS raportoi gjithashtu se raketat goditën lagjen qendrore Jomhouri të kryeqytetit iranian dhe rrugën ku ndodhet Universiteti i Teheranit.
Autoritetet në Teheran thuhet se po inspektojnë të gjitha zonat e prekura dhe kanë rritur masat e sigurisë në kryeqytet.
21:54 Udhëheqja iraniane mbeti e vrarë nga sulmet? Trump : Pjesa më e madhe po, por…
Presidenti i SHBA-së i tha ABC News se ai beson se “shumë” nga udhëheqja iraniane është vrarë gjatë sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit. Kur u pyet drejtpërdrejt nëse administrata beson se udhëheqësit iranianë janë vrarë, Trump iu përgjigj: “Një pjesë e madhe e saj po. Por ne nuk e dimë gjithçka, por pjesa më e madhe e saj po. Ishte një goditje shumë e fuqishme.”
21:48 Izraeli konfirmon vrasjen e udhëheqësit suprem të Iranit: Ka foto me trupin e tij të vdekur
Izraeli ka konfirmuar që udhëheqësi suprem Iranian ishte vrarë në sulme të shtunën, sipas dy burimeve izraelite të njohura me çështjen. Një nga burimet tha se Izraeli kishte marrë një fotografi të trupit të vdekur të Ayatollah Ali Khamenei.
Sipas asaj që raporton Jerusalem Post, lideri suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei është vrarë pas sulmeve ajrore në Teheran. Gazeta citon burime të informacionit të lartë nga Izraeli, të cilët pretendojnë se kompleksi ku ndodhej Khamenei është shkatërruar, duke lënë pak shenja jete.
Presidenti amerikan, Donald Trump, reagoi ashpër duke deklaruar: “Ata nuk mund të kenë një bombë bërthamore”, në referencë ndaj Teheranit. Duke folur për transmetuesin izraelit Channel 12, Trump bëri të ditur se kishte zhvilluar një “telefonatë të mirë” me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, duke theksuar se “jemi në të njëjtën linjë”.
20:41 Raportimet për vrasjen e udhëheqësit suprem, Teherani tregon gjendjen e Khameneit
Presidenti i Iranit dhe udhëheqësi suprem janë “shëndoshë e mirë”, tha të shtunën për ABC News zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Baghaei. Sipas Baghaeit, “sistemi” i qeverisë iraniane “po funksionon”.
Kryeministri izraelit Netanyahu doli në një deklaratë për mediat ku foli edhe për raportimet se udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, mund të ketë mbetur i vrarë gjatë sulmeve të sotme. Ai tha se po rriten shenjat që “ky diktator” është “shuar”. Netanyahu iu drejtohet popullit iranian, duke thënë se sulmet do t’i ndihmojnë ata të “çlirohen nga tirania”.
FBI ka lëshuar një paralajmërim shqetësues për amerikanët, ndërsa rriten frikërat se Irani mund të godasë SHBA-në përmes grupeve terroriste të ndërmjetme (proksi). Ekipet e kundërterrorizmit dhe kundërzbulimit të FBI-së janë në gjendje të lartë gatishmërie në të gjithë vendin, sipas një zyrtari të agjencisë.
Zëdhënësi i Gjysmëhënës së Kuqe Iraniane, Mojtaba Khaledi, tha se deri tani 201 persona janë vrarë në sulmet e sotme në vend, raportuan mediat iraniane. Khaledi tha se 747 persona janë plagosur, duke shtuar se 24 nga 31 provincat e Iranit janë goditur.
Inteligjenca amerikane ka vlerësuar se, në rast të një operacioni të suksesshëm për ndryshim regjimi në Iran që do ta rrëzonte Udhëheqësin Suprem të vendit, Ayatollah Ali Khamenei, Trupat e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) me qëndrim të ashpër ka shumë gjasa të mbushnin çdo boshllëk drejtimi në afat të shkurtër, ka raportuar CNN.
Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme e vendit tonë po ndjek me vëmendje situatën në Lindjen e Mesme dhe prej mëngjesit të sotëm është në kontakt me autoritetet e vendeve të rajonit përmes përfaqësive diplomatike shqiptare.
Gjermania është e përkushtuar ndaj sigurisë së Izraelit, thotë kancelari gjerman Friedrich Merz, duke shtuar se po “bashkërendohet ngushtë” me Shtetet e Bashkuara, Izraelin dhe partnerët në rajon.
18:15 Sulmi në shkollën e vajzave në Iran, reagon sërish Teherani: Numri i viktimave shkon në 86
Bilanci i viktimave nga sulmet në jug të Iran është rënduar sërish. Sipas faqes zyrtare të gjyqësorit iranian, Mizan Online, të paktën 86 nxënëse të reja kanë humbur jetën pas goditjes së një shkolle vajzash në qytetin Minab.
Irani raporton se të paktën 70 persona kanë humbur jetën dhe rreth 90 të tjerë kanë mbetur të plagosur si pasojë e sulmeve ajrore që goditën provincën Hormozgan. Sipas raportimeve paraprake, bilanci i viktimave mund të rritet, pasi disa prej të plagosurve ndodhen në gjendje të rëndë.
16:54 Droni iranian godet Aeroportin Ndërkombëtar të Kuvajtit, disa punonjës të lënduar
Një dron goditi Aeroportin Ndërkombëtar të Kuvajtit, duke plagosur lehtë punëtorët dhe duke shkaktuar dëme të kufizuara materiale, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve e Kuvajtit, ndërsa Irani ka nisur sulme kundër bazave amerikane në rajon.
Dubai është vënë në gatishmëri të lartë pas raportimeve për shpërthime në qiell dhe përgjime të mundshme ajrore pranë zonës së Palm Jumeirah. Sipas mediave dhe dëshmive të banorëve, incidentet e para u regjistruan rreth 20 minuta më parë, ndërsa në zonë janë dëgjuar disa shpërthime të forta.
15:46 Nga BE e Kosova tek Marine Le Pen, mbështetet sulmi ndaj Iranit: Të fitojë populli
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i mbështeti me forcë sulmet e Shteteve të Bashkuara kundër Iranit, duke shkruar në platformën X se “ka ardhur ora e lirisë për popullin e Iranit”, dhe kjo, falë udhëheqjes së SHBA-së dhe presidentit amerikan, Donald Trump.
Sipas mediave izraelite, udhëheqësi Suprem i Iranit, Ali Khamenei, mund të ketë mbetur i vrarë nga një sulm izraelit i kryer më herët gjatë ditës së sotme.“Për aq sa di unë,” tha Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi në një intervistë me NBC News, “Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, është ende gjallë.”
15:14 Mediat izraelite: Ka indikacione se Khamenei është vrarë
Izraeli po vlerëson mundësinë që Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ali Khamenei, të ketë mbetur i vrarë nga një sulm izraelit i kryer më herët gjatë ditës së sotme. Lajmi është raportuar nga televizioni izraelit Channel 12, i cili citon burime të paidentifikuara brenda Izraelit dhe flet për “indikacione në rritje” që ai të jetë vrarë.
14:12 Moska zyrtare dënon sulmin ndaj Iranit: Aventurë e rrezikshme, po kërcënohet gjithë rajoni
Moska ka dënuar ashpër sulmet amerikane dhe izraelite kundër Iranit. Në një deklaratë zyrtare, Ministria e Jashtme ruse i cilësoi sulmet si “aventurë të rrezikshme” dhe që kërcënojnë rajonin. ‘Kjo katastrofë’ sipas Rusisë, synon “shkatërrimin” e qeverisë iraniane, pasi ajo ka refuzuar t’i nënshtrohet “diktatit” të tyre.
Presidenti amerikan Donald Trump i ndoqi nisjen e sulmeve ndaj Iranit nga rezidenca e tij Mar-a-Lago, e cila ndër vite është përdorur si qendër vendimmarrjeje për operacione të ndjeshme ushtarake dhe të sigurisë kombëtare.
Sulmet e SHBA dhe Izraelit kanë shkatërruar rezidencën zyrtare të Udhëheqësit Suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, në Teheran. Gazetari i New York Times ka publikuar pamjet satelitore të kompleksit, ndësa shkruan se nuk dihet vendodhja aktuale e Khameneit.
Një sulm izraelit ka goditur një shkollë në Iran, dhe si pasojë i ka marrë jetën 40 personave. Zyrtarët vendas raportuan shifrën, duke përditësuar numrin që kishte shkuar në 24, pas raportimit fillestar me 5 vdekje.
Zyrtarët izraelitë vlerësojnë se komandanti i Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, Gjenerali Mohammad Pakpour, ka të ngjarë të jetë vrarë në sulmet e sotme në Iran. Pakpour u bë kreu i IRGC pasi Izraeli vrau paraardhësin e tij, Hossein Salami, në fillim të luftës së qershorit 2025.
12:38 Irani konfirmon viktimat e para, 5 nxënës humbin jetën në qytetin e Minabit
Zëvendësshefi i sigurisë së provincës Hormozgan ka njoftuar se pesë nxënëse u vranë në sulmet e sotme nga Izraeli, sipas agjencisë shtetërore iraniane të lajmeve Fars. “Në sulmet e sotme nga regjimi izraelit në qytetin Minab, një shkollë fillore për vajza u vu në shënjestër dhe deri më tani 5 nxënëse kanë humbur jetën”, tha zyrtari.
12:16 ANALIZA/ Pse Trump sulmoi Iranin tani? Gjashtë arsyet që e bindën Presidentin
Analiza e Michael Rozenblat, studiues që ka punuar në aparatin e sigurisë izraelite: “Një ndryshim regjimi tani”, shkruan ai, “mund të jetë më i favorshëm se një proces i gjatë diplomatik”.
Mediat izraelite po raportojnë se objektivat kryesore të sulmeve ndaj Iranit ishin lideri suprem Ajatollah Ali Khamenei, zyrtarët e lartë iranianë si dhe depot e materialeve bërthamore të Iranit. Sakaq, Channel 12 raporton se një prej zyrtarëve të lartë që u vra gjatë sulmeve ishte Ali Shamkhani, një këshilltar i Khameneit dhe përgjegjës për programin bërthamor.
Zyrtari ushtarak izraelit thotë se fokusi i operacionit nuk është “ndryshim regjimi” Fokusi i Izraelit nuk është “një operacion për ndryshim regjimi”, tha një zyrtar ushtarak izraelit në një konferencë për shtyp të shtunën, duke theksuar se objektivi kryesor janë shënjestrat ushtarake.
11:57 Sulmet izraelite në Iran, CNN: Objektiv ishin udhëheqësi suprem dhe presidentin e Iranit
Sulmet e Izraelit ndaj Iranit të shtunën në mëngjes kishin në shënjestër figura të larta iraniane, përfshirë Udhëheqësin Suprem Ajatollah Ali Khamenei, Shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura Sayyid Abdolrahim Mousavi dhe Presidentin Masoud Pezeshkian, thanë për CNN dy burime izraelite të njohura me operacionin.
Udhëheqësit dhe autoritetet botërore kanë filluar të reagojnë ndaj lajmit se SHBA-ja dhe Izraeli kanë kryer sulme ndaj Iranit, ndërsa Teherani po u përgjigjet këtyre sulmeve me goditje të veta në Lindjen e Mesme.
Një person ka humbur jetën nga mbetjet që binin pasi mbrojtja ajrore ndërpreu raketa iraniane që synonin bazat amerikane në Abu Dabi, kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe, tha agjencia shtetërore e lajmeve WAM, duke cituar ministrinë e mbrojtjes së Emirateve të Bashkuara Arabe. Ministria e mbrojtjes tha se viktima ishte një shtetas aziatik.
Dmitry Medvedev, nënkryetar i Këshillit të Sigurisë së fuqishme të Rusisë, ka kritikuar ashpër presidentin Donald Trump pas ofensivës që SHBA dhe Izraeli ndërmorën ndaj Iranit sot. “Paqebërësi e tregoi edhe një herë fytyrën e tij”, tha Medvedev.
11:10 Vijon kundërpërgjigja në disa fronte nga Irani, pas Bahreinit e Abu Dabit goditet dhe Doha
Shpërthime janë dëgjuar edhe në Doha, kryeqytetin e Katarit pas njoftimeve se Irani po godet edhe aleatët e tjerë të SHBA-së në Lindjen e Mesme, përveç Izraelit. Ministri i jashtëm i Iranit tha se përgjigjja e Iranit do të jetë shënjestrimi i të gjitha bazave ushtarake amerikane në rajon, sipas ministrisë së jashtme irakiane.
11:01 Irani në ndërprerje pothuajse totale interneti, vetëm 4% e vendit kanë akses në rrjet
Irani po përjeton një ndërprerje pothuajse totale të internetit, sipas organizatës mbikëqyrëse të lirisë online Netblocks. “Konfirmuar: Të dhënat e rrjetit tregojnë se #Irani tani është në mes të një ndërprerjeje pothuajse totale të internetit me lidhje kombëtare në 4%”, shkroi Netblocks në një postim në kanalin e saj Telegram.
Kundërpërgjigja iraniane ndaj sulmeve të sotme nuk është kufizuar vetëm në Izrael, pasi mediat e huaja raportojnë se ka patur shpërthime të shumta në Bahrein, Abu Dhabi dhe Katar, vende të cilat kanë baza amerikane. Irani kreu sulme me raketa në një bazë amerikane në Bahrein, raportoi agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve Fars e Iranit.
Djali i Shahut të fundit të Iranit, Reza Pahlavi ka reaguar pas operacionit amerikano-izraelit ndaj Iranit. Në një status të postuar në mediat sociale Pahlavi shkruan: “Ndihma e premtuar nga Trump ka mbërritur. Megjithatë, fitorja përfundimtare do të jetë në duart tona. Ne, populli i Iranit, do ta përfundojmë detyrën në këtë betejë”.
Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit njoftoi se po nis një kundërsulm, sipas një deklarate të postuar nga agjencia iraniane e lajmeve Tasnim në Telegram. “Në përgjigje të sulmit armiqësor dhe kriminal të armikut ndaj Republikës Islamike të Iranit, ka filluar vala e parë e gjerë e sulmeve me raketa dhe dronë të Republikës Islamike të Iranit drejt tokës së pushtuar”, thuhet në deklaratë.
Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme i ka bërë thirrje shqiptarëve që jetojnë në Iran, pas shtimit të tensioneve izraelito-iraniane. Pas sulmeve që Izraeli kreu në Iran, Ministria njofton shqiptarët që jetojnë në Republikën Islamike të tregojnë kujdes, teksa ka publikuar edhe numrat ose e-mail ku mund të kontaktojnë konsullatat.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u drejtohet qytetarëve të vendit pas fillimit të një operacioni të përbashkët izraelito-amerikan kundër Iranit. Në deklaratën e tij, ai thekson kërcënimin që paraqet regjimi iranian, paralajmëron për ambiciet e tij bërthamore dhe i bën thirrje popullit iranian të përmbysë diktaturën.
Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) thanë se kanë identifikuar raketa të lëshuara nga Irani drejt Izraelit. Kjo vjen ndërsa Associated Press raporton se shpërthime janë dëgjuar në Izraelin verior. Forcat Ajrore Izraelite kanë thënë se po veprojnë për të ndërprerë dhe goditur kërcënimet aty ku është e nevojshme.
09:06 7 raketa shpërthyen pranë rezidencës së liderit suprem Ali Khamenei, Irani: Do hakmerremi
Disa shpërthime u dëgjuan në lagjen Pasteur të Teheranit, ku ndodhet kompleksi ku ndodhet rezidenca dhe zyra e Udhëheqësit Suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, sipas mediave shtetërore iraniane. Agjencia e Lajmeve Fars raportoi se të paktën shtatë raketa goditën zonën.
Presidenti Donald Trump konfirmoi në një video të postuar në mediat sociale se Shtetet e Bashkuara kanë filluar një fushatë ushtarake në Iran. “Objektivi ynë është të mbrojmë popullin amerikan duke eliminuar kërcënimet e menjëhershme nga regjimi iranian, një grup i egër njerëzish shumë të ashpër dhe të tmerrshëm”, tha presidenti në video.
“Në vijim të situatës së jashtëzakonshme u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë që ndodhen në Izrael të tregojnë kujdes të shtuar, të ndjekin me vëmendje njoftimet zyrtare dhe të respektojnë udhëzimet e sigurisë së autoriteteve vendore”, kështu thuhej në njoftimin e tyre.
Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara nisën sulme parandaluese ndaj Iranit këtë mëngjes, me shpërthime të dëgjuara në Teheran, ndërsa Izraeli shpalli gjendje të jashtëzakonshme.
Udhëheqësi Suprem Ajatollah Ali Khamenei nuk është në Teheran, tha një zyrtar iranian për Reuters dhe është zhvendosur në një vend të sigurt. Më parë, Associated Press raportoi se një sulm në kryeqytet ndodhi pranë zyrave të Khameneit.
08:10 Sulmet e Izraelit në Teheran, CNN: Ofensiva ishte e koordinuar me Shtetet e Bashkuara
Sulmi i Izraelit ndaj Iranit sot u koordinua me Shtetet e Bashkuara, tha një burim izraelit për CNN. Në këtë fazë të hershme është e paqartë nëse ishte një sulm i njëanshëm izraelit apo nëse forcat morën pjesë gjithashtu në sulm. Sulmi izraelit shënjestroi raketat balistike dhe lëshuesit e raketave, të cilat Izraeli i ka parë si një kërcënim serioz.
Top Channel