Kërkohej nga Spanja për trafik droge dhe organizatë kriminale, arrestohet 53-vjeçari në Elbasan

28/02/2026 13:34
Foto Ilustruese

Një 53-vjeçar i kërkuar nga autoritetet spanjolle për trafik droge dhe organizatë kriminale është arrestuar në Elbasan.

Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të punës për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Alert”.

Në kuadër të këtij operacioni, në bashkëpunim me shërbimet e Qarkullimit Rrugor, u bë i mundur lokalizimi në aksin rrugor Elbasan–Peqin, kapja dhe arrestimi, me qëllim ekstradimin drejt Spanjës, i shtetasit J. B., 53 vjeç, banues në Vlorë.

Për këtë shtetas, Gjykata Juzgado Central de Instrucción n.º 1 – Audiencia Nacional ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprat penale “Trafik i lëndëve narkotike”, “Organizatë kriminale” dhe “Vjedhje e energjisë elektrike”, të parashikuara nga Kodi Penal i Spanjës.

Për këto vepra penale, Kodi Penal i Spanjës parashikon dënim maksimal deri në 9 vite burgim.

Interpol Tirana do të kryejë procedurat, në bashkëpunim me homologët në Spanjë, për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Spanjës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB