Vende pune dhe pagesa të majme, si Rusia “josh” afrikanët për t’iu bashkuar radhëve ruse në luftën ndaj Ukrainës, të paktën 55 ganezë kanë humbur jetën

27/02/2026 18:42

Raportimet se burrat afrikanë po “joshen” nga Moska me premtime për vende pune dhe në fund përfundojnë në vijat e frontit të luftës në Ukrainë janë bërë më të shpeshta në muajt e fundit, duke krijuar tensione midis Moskës dhe disa prej vendeve afrikane të përfshira.

Sipas The Guardian, të paktën 55 ganezë janë vrarë në luftën në Ukrainë, pasi janë sjellë në fushëbetejë, tha ministri i jashtëm i Ganës pas një vizite në Kiev, në të cilën zyrtarët ngritën çështjen e rekrutimit të afrikanëve nga rusët.

Autoritetet ruse kanë mohuar të gjitha akuzat. Samuel Okudzeto Ablakwa, një politikan ganez, tha në një postim në X të enjten: “Ne u informuam se 272 ganezë besohet se janë “joshur” në betejë që nga viti 2022, nga të cilët rreth 55 janë vrarë dhe 2 janë kapur si robër lufte.”

Në një konferencë për mediat të martën, Andrii Sybiha, ministri i jashtëm ukrainas, tha se më shumë se 1,780 afrikanë nga 36 vende të ndryshme po luftonin në radhët e ushtrisë ruse.

Gana, e cila ka lidhje ekonomike dhe diplomatike me Rusinë, synon të rrisë ndërgjegjësimin në lidhje me rekrutimin dhe të çmontojë “skemat e rekrutimit të paligjshëm të në “dark web” që veprojnë brenda juridiksionit tonë”, tha Ablakwa në postimin e tij në X.

Kjo nuk është lufta jonë dhe nuk mund të lejojmë që të rinjtë tanë të bëhen mburoja njerëzore për të tjerët”, shtoi ai.

Ministri tha se qeveria e Ganës do të intensifikojë edukimin publik dhe do të punojë për të “gjurmuar dhe çmontuar të gjitha skemat e rekrutimit të paligjshëm që veprojnë në vend”. Ai shtoi se dy ganezët e kapur i kishin paralajmëruar të rinjtë të mos tundoheshin nga stimujt financiarë.

Qeveria e Afrikës së Jugut tha këtë javë se dy nga qytetarët e saj kishin vdekur në vijën e frontit në Ukrainë. Të dy vijnë nga një grup prej 17 afrikanojugorësh që u mashtruan për të luftuar për Rusinë në Ukrainë, shumica e tyre tashmë janë riatdhesuar, tha në një deklaratë ministria e Jashtme e Afrikës së Jugut.

Në Afrikën e Jugut, Duduzile Zuma-Sambudla, vajza e ish-presidentit, Jacob Zuma, po hetohet nga policia për përfshirje të dyshuar në “joshjen” e dhjetëra burrave afrikanë për në Rusi.

Sipas një raporti të inteligjencës keniane, më shumë se 1,000 shtetas nga Kenia janë rekrutuar për të luftuar për Rusinë.

Ministria e Jashtme ka thënë se 27 prej tyre janë shpëtuar pasi kishin mbetur të bllokuar në Rusi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB