SHBA-Iran, sinjale afrimi/ Ministri i Jashtëm iranian: Kemi dallime, por pajtohemi për elementet kryesore

27/02/2026 12:34

Shefi i diplomacisë iraniane, Abbas Araghchi përcolli një optimizëm të kujdesshëm pas raundit të tretë të bisedimeve SHBA-Iran që zgjatën disa orë në Gjenevë, e që sipas Omanit ndërmjetësues të negociatave, shënuan një progres jo të vogël.

Aragchi pohoi se Uashingtoni dhe Teherani kanë identifikuar elementët kryesorë të një marrëveshjeje të mundshme dhe janë pajtuar që bisedimet t’i kalojnë në nivel teknik.

Ne arritëm të identifikojmë elementët kryesorë të një marrëveshjeje të mundshme dhe t’i diskutojmë ato. Natyrisht, ende ekzistojnë dallime, por në shumicën e rasteve kemi arritur të paktën një mirëkuptim të përgjithshëm për mënyrën se si mund të zgjidhen këto çështje”, deklaroi ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi.

Duke iu referuar përparimit të arritur, ministri i Jashtëm iranian theksoi se palët kanë rënë dakord që ekipet e tyre teknike të takohen në Vjenë, në selinë e Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike, për të nisur punën mbi aspektet teknike të marrëveshjes së mundshme. Zbutja e sanksioneve ndaj Republikës Islamike ka qenë sipas tij një nga temat kryesore të diskutimeve. Presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi ditë më parë se, nëse bisedimet dështojnë, Shtetet e Bashkuara mund të ndërmarrin sulme kundër Iranit.

Ekspertët kanë shprehur optimizëm të kujdesshëm se bisedimet mund të prodhojnë një marrëveshje, por paralajmërojnë se tensionet dhe rreziku i një përballjeje ushtarake vazhdojnë të mbeten te larta.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB