Rama dhe Vuçiç “letër” BE-së për pranim në tregun “Schengen”, dy liderët propozojnë një ide të re për integrimin

27/02/2026 23:03

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, kanë propozuar një qasje të re për integrimin evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në një opinion të përbashkët të botuar në të përditshmen gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung, dy liderët sugjerojnë një “rrugë realiste” drejt Bashkimit Evropian, duke zhvendosur fokusin nga anëtarësimi i plotë te integrimi në tregun e përbashkët evropian dhe në zonën Schengen.

Në shkrimin e tyre, Rama dhe Vuçiç nuk këmbëngulin për një afat të shpejtë anëtarësimi në BE, por propozojnë përfshirjen e vendeve kandidate të përgatitura në tregun e përbashkët dhe në lëvizjen e lirë të zonës Schengen. Sipas tyre, kjo do të sillte përfitime të menjëhershme për qytetarët dhe ekonomitë respektive, ndërkohë që do të forconte edhe pozitën ekonomike dhe gjeopolitike të vetë BE-së.

Dy udhëheqësit shprehin zhgënjim për mungesën e zgjerimit të BE-së që prej vitit 2013, duke e cilësuar realitetin aktual si dekurajues për rajonin. Ata theksojnë se Ballkani Perëndimor përfaqëson një “vijë të re fronti për investime” dhe argumentojnë se Brukseli duhet ta shohë rajonin si një hapësirë strategjike në kontekstin e zhvillimeve të reja gjeopolitike.

Në opinionin e tyre, Rama dhe Vuçiç pranojnë se brenda BE-së ekzistojnë dy objektiva që shpesh duken të ndryshme: nga njëra anë, vendet kandidate kërkojnë një rrugë të qartë dhe të besueshme drejt anëtarësimit të plotë; nga ana tjetër, shtetet anëtare synojnë të ruajnë funksionalitetin, unitetin dhe aftësinë vendimmarrëse të Unionit.

Si zgjidhje për këtë dilemë, ata propozojnë integrim të përshpejtuar në tregun e përbashkët dhe në zonën Schengen, pa ndryshuar arkitekturën institucionale të BE-së. Sipas idesë së tyre, ky model nuk do të nënkuptonte të drejtë vetoje për vendet kandidate, as emërim komisionerësh të rinj, as shtim deputetësh në Parlamentin Evropian apo ndryshime në mekanizmat e votimit. Një formulë e tillë, argumentojnë ata, do të ishte më e pranueshme për vendet anëtare që hezitojnë përballë një zgjerimi të ri dhe do ta bënte më të lehtë shpjegimin e procesit para opinionit publik evropian.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB