Detaje të reja rreth vetëvrasjes së Katherine Short, shënimit e gjetura në shtëpi dhe dera e mbyllur
Tensionet mes Pakistan dhe Afghanistan janë përshkallëzuar ndjeshëm, me përleshje të armatosura pranë pikës strategjike kufitare Turam, pasi Islamabadi shpalli “luftë” ndaj autoriteteve talebane.
Gazetarë në vendngjarje raportuan të shtëna me armë zjarri, ndërsa njëri prej tyre pa ushtarë afganë që lëviznin drejt kufirit, përpara se forcat e sigurisë ta urdhëronin të largohej nga zona.
Përshkallëzimi vjen pasi Islamabadi shpalli “luftë” ndaj talebanëve, në përgjigje të një sulmi nga militantë afganë ndaj pozicioneve pakistaneze. Si kundërpërgjigje, forcat pakistaneze ndërmorën sulme ajrore, duke goditur objektiva në Kabul dhe Kandahar, që konsiderohet djepi i lëvizjes talebane.
Kalimi kufitar Turam ka mbetur i hapur për afganët që po kthehen masivisht nga Pakistani, ndonëse kufiri tokësor është mbyllur kryesisht që nga shpërthimi i luftimeve në tetor. Përplasjet e mëparshme kanë lënë më shumë se 100 viktima në të dyja anët e kufirit.
Kampi Omari, pranë pikës kufitare, ku strehohen të kthyerit afganë, u godit gjatë luftimeve të natës, duke shkaktuar panik.
“Fëmijë, gra, të moshuar po vraponin”, tha 65-vjeçari Ghader Khan, i cili shtoi se “ tre fëmijë dhe tre gra” mbetën të plagosur.
Një tjetër banor, Jargon, 44 vjeç, tha se disa fëmijë rezultojnë të zhdukur mes kaosit. “Disa lanë dokumentet dhe gjithçka tjetër. Nga frika, të gjithë ikën me vrap”, deklaroi ai.
Sipas zyrtarëve talebanë, forcat afgane nisën një sulm ndërkufitar ndaj trupave pakistaneze të enjten në mbrëmje, si kundërpërgjigje ndaj bombardimeve pakistaneze të fundjavës.
Russia u bëri thirrje të dy vendeve të ndalojnë menjëherë sulmet ndërkufitare dhe të zgjidhin mosmarrëveshjet përmes diplomacisë.
Top Channel