“Të zgjatet mandati i ONM”, avokati Alushaj: Të përfshihet pranë ILD, KLP dhe KLGJ

26/02/2026 11:56

Avokati Lulzim Alushaj, përmes një postimi publik, ka ngritur shqetësimin për përfundimin e mandatit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit dhe mungesën e mbikëqyrjes ndërkombëtare në fazat e mëtejshme të sistemit të drejtësisë.

Ai propozon që mandati dhe misioni i ONM të shtyhen dhe të caktohen pranë ILD, si dhe pranë KLP dhe KLGJ, me të njëjtat kompetenca që kishin më herët.

Reagimi i plotë:

Mandati i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM) filloi me themelimin e organeve të reja të procesit të rivlerësimit të subjekteve të përcaktuar në Kushtetutë dhe në ligjet respektive. ONM mbështet procesin e rivlerësimit dhe drejtohet nga KomisioniEuropian; mandati i tij përfundon me mbarimin e mandatit të KPA.

Roli i ONM përgjatë këtij procesi ka qenë i rëndësishëm, pasi garantonte një skanim të veçuar dhe të paanshëm të situatës dhe të rasteve konkrete mbi atë proces rivlerësimi. Por, pas mbarimit të mandatit të ONM, cili organizëm ndërkombëtar ka akses dhe mundësi rekomandimesh në fazën e ankimeve, hetimeve disiplinore pranë ILD? Sot asnjë organizëm ndërkombëtar nuk ka mundësi të mbështesë apo mbikëqyrë ILD në punën dhe vendimet e saj.

Mbajtur parasysh që ILD, në projektin kushtetues dhe ligjor në vend, ka një rol themelor për të garantuar transparencën, llogaridhënien, forcimin e praktikave mbi inspektimet nëpër prokurori e gjykata, por sipas të dhënave zyrtare dhe opinionit publik në vend e më gjerë, ky mision po dështon në mënyrë spektakolare. Për sa më sipër, mund dhe duhet të mendohet që mandati dhe misioni i ONM të shtyhet dhe, kësaj here, të caktohet pranë ILD, #KLP dhe #KLGJ me të njëjtat kompetenca që kishte më herët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB