Ndryshimet në Qeveri, ikin Spiropali e Vengu/ Ambasadori Ferit Hoxha në krye të Diplomacisë, deputetja e PS merr postin e Toni Gogut
Kryeministri Edi Rama bëri pasditen e kësaj të enjte ndryshime në qeveri, duke larguar emra të rëndësishëm të selisë rozë, nga Elisa Spiropali tek Pirro Vengu, teksa zëvendësimi i Belinda Ballukut si zv.kryeministre u bë me Albana Koçiun.
Më herët, në 100 minuta kryeministri Edi Rama shpalosi para grupit parlamentar socialist shqetësimet e tij për drejtësinë e re, çështjet e nxehta të maxhorancës dhe për kërkesën e SPAK për autorizimin e Kuvendit për Belinda Ballukun.
Drejtori i komunikimit të Sali Berishës, Alfred Lela i ka komentuar këto lëvizje në “Top Story”, duke i quajtur qeveria ‘Balluku 1’. Ai gjithashtu shtoi se për PD-në, këto lëvizje nuk kanë ndryshuar asgjë, pasi kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës dhe qeveri teknike.
“Në gjykimin tim, kur ne prisnim qeverinë, sepse pritej një ndryshim, kur prisnim qeverinë ‘Rama 5’, na doli ‘Balluku 1’. Sot kemi qeverinë ‘Balluku 1’, sepse dy drejtorë të saj janë bërë ministra. Balluku ka ikur vetë dhe ka futur në ballë të vendit, madje edhe në vendin e vetë, dy vartës të saj. Kjo e bën qeverinë qartësisht ‘Balluku 1’. Tregon cili është raporti i saj me drejtësinë.
Sot Rama ka rënë, Balluku është ngritur. Për Shqipërinë nuk ka ndryshuar asgjë, siç nuk ka ndryshuar asgjë në raportin që ka opozita me ngjarjet dhe opozita me kërkesat e veta.
Nuk ka ndryshuar asgjë. Partia Demokratike kërkon largimin e Ramës, qeveri teknike me mjete demokratike. Prandaj them që s’ka ndryshuar asgjë. Për ne rrena ose prena, nuk ndryshon asgjë se djalli është brenda, ta bëj pak me rimë (qesh).
Edhe Elisa Spiropali e përforcon këtë. Të gjithë e dinë që ka pasur një marrëdhënie të parehatshme mes ministres së Jashtme dhe zv.kryeministres. Kush të dojë le ta pëlqejë këtë qeveri, ‘Balluku 1’”, tha Lela.
Top Channel