“Predator”/ Gjykata greke vendos dënimin me 128 vite burg për skandalin e përgjimeve

26/02/2026 22:57

Një vendim i gjykatës greke të Shkallës së Parë në çështjen e përgjimeve me programin e dyshuar spiun “Predator” riktheu sot në qendër të debatit politik një nga skandalet më të diskutueshme të viteve të fundit në vend.

Gjykata shpall fajtorë katër të pandehur duke mos u njohur asnjë rrethanë lehtësuese. Bëhet fjalë për Ioannis Lavranos, Felix Bittzios, si dhe çiftin Tal Jonathan Dilian dhe Sarah Alexandra Hamou, sipërmarrës privatë nga Greqia dhe Izraeli, të lidhur me kompanitë Intellexa dhe Krikel, të cilat, sipas dosjes, kishin rol në zhvillimin, tregtimin ose mbështetjen teknike të softuerit të përgjimit Predator.

Gjykata vendosi dënime që në total arrijnë 126 vite e 8 muaj burg, ndërsa pjesa e ekzekutueshme u përcaktua 8 vite. Megjithatë, u dha fuqi pezulluese apelimit, çka do të thotë se të dënuarit do ta presin procesin në apel.

Sipas vendimit, të pandehurit u gjetën fajtorë për vepra që lidhen me ndërhyrje në sisteme të të dhënave personale, shkelje të sekretit të komunikimeve dhe akses të paligjshëm në sisteme informacioni, në disa raste të kryera dhe në të tjera në tentativë.

Skandali “Predator” u bë publik në Greqi gjatë viteve 2021–2022, me raportime për synime ndaj politikanëve, gazetarëve, biznesmenëve dhe zyrtarëve duke hapur debat për privatësinë, kontrollin institucional dhe kufijtë e survejimit.

Mes rasteve më të njohura ishte ai i gazetarit Thanasis Koukakis dhe më pas u raportua se gjurmë të softuerit “Predator” u gjetën në dhjetëra pajisje, ndër to edhe persona të profilit të lartë politik ,siç ishte rasti i liderit të socialistëve të Pasok-ut Nikos Androulakis .

Qeveria, përmes zëdhënësit të saj, ka theksuar se beson drejtësinë dhe se vendimi i shkallës së parë ka të bëjë me persona privatë që përgjonin privatë, ndërsa kujton se janë bërë ndryshime për forcimin e kuadrit ligjor.

Opozita, nga ana tjetër, që ka shënjestruar prej kohësh ish drejtuesit e Shërbimit të Inteligjencës që dhanë dorëheqjen pas skandalit, midis tyre nipin e kryeministrit Mitsotakis, flet për përgjegjësi politike dhe kërkon zgjerim të hetimit, duke insistuar se duhet të sqarohen edhe porositësit e mundshëm të përgjimeve si dhe zinxhiri i përgjegjësive.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB