“Hip në një varkë me të çmendurin De Niro dhe kthehu nga ke ardhur”, Trump sulmon ligjvënësit myslimanë që i ndërprenë fjalimin në Kongres

26/02/2026 09:23

Një debat i nxehtë politik shpërtheu në Shtetet e Bashkuara pas fjalimit të Donald Trump për Gjendjen e Kombit, kur kongresmenet demokrate Ilhan Omar dhe Rashida Tlaib e denoncuan publikisht presidentin nga salla e Kongresit.

Të nesërmen, Trump u përgjigj në platformën Truth Social, duke i quajtur dy kongresmenet “me IQ të ulët” dhe duke sugjeruar se “duhet të institucionalizohen”. Ai përdori terma përçmues, duke i përshkruar si “të çmendura dhe të sëmura” dhe iu bëri thirrje të “kthehen nga ku kanë ardhur”. Në të njëjtin postim, presidenti përfshiu edhe aktorin Robert De Niro, të cilin e quajti gjithashtu “të çmendur” dhe “me IQ jashtëzakonisht të ulët”.

Debati filloi pasi Omar dhe Tlaib ndërprenë fjalimin e Trump për të kundërshtuar komentet mbi emigracionin dhe një hetim të komunitetit somalez në Minesota. Sipas mediave, ata brohoritën “Duhet të turpërohesh!” dhe “Gënjeshtar!”, duke kritikuar politikat e administratës për emigracionin.

Reagimet nga demokratët ishin të ashpra. Hakeem Jeffries, udhëheqës i pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve, e quajti retorikën e Trump “të turpshme, jopresidenciale dhe jopatriotike”. Pete Aguilar, kryetar i Grupit Demokratik, mbrojti Omar dhe Tlaib duke theksuar se ato janë përfaqësuese të zgjedhura dhe në kontakt me komunitetet e tyre.

Trump ka përdorur gjuhë të ngjashme urrejtjeje kundër kongresmenëve progresive dhe komuniteteve që ato përfaqësojnë që nga viti 2019, duke shkaktuar kritika dhe akuza për racizëm. Omar ka deklaruar se retorika e presidentit ka kërcënuar jetën e saj dhe komunitetin që përfaqëson, duke kërkuar masa sigurie shtesë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB