“Grup i strukturuar kriminal” dhe vepra të tjera penale/ Ekstradohet nga Dubai drejt Shqipërisë Durim Bami, pritet të mbërrijë pasdite (FOTO)

26/02/2026 08:46

Durim Bami është ekstraduar nga Dubai, teksa sot pasdite pritet të mbërrijë në vendin tonë.

Gazetarja e Top Channel, Dorjana Bezat, mëson se Durim Bami është Nisur nga Dubai drejt Stambollit fillimisht, teksa më pas do të niset drejt Shqipërisë.

Mbi të rëndojnë veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale, ose grup i strukturuar kriminal”.

Durim Bami ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtarisht, pasi iu caktua masa e sigurisë “Arrest në burg”.

“Vijon operacioni ndërkombëtar i koduar “The Wanted”, për lokalizimin, kapjen dhe finalizimin e procedurave të ekstradimit të shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Pritet finalizimi i procedurave të ekstradimit gjatë ditës së sotme, nga Dubai, në Shqipëri, të një shtetasi të shumëkërkuar.

Në vijim të bashkëpunimit të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, ditën e sotme, pritet të ekstradohet nga Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe, në Shqipëri, shtetasi Durim Bami, 47 vjeç, banues në Nikël, Krujë.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datë 15.05.2024, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale, ose grup i strukturuar kriminal””, thuhet në njoftimin e policisë.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB