Tre muaj e mbyllur autostrada Joniane në Greqi, shkak shembja e dheut

25/02/2026 15:55

Punimet vijojnë me ritme intensive në segmentin e mbyllur të autostradës Joniane, ku rrëshqitjet masive të dheut dhe gurëve prej fundit te janarit, kanë bllokuar të dy drejtimet e qarkullimit.

Ekskavatorët, duke punuar nga maja e shpatit, po e ndajnë malin në nivele dhe po largojnë mijëra metra kub materialesh që kanë mbuluar rrugën, raporton korrespondenti i Top Channel Aleksandër Marku.

Rrëshqitja e madhe e dheut në këtë segment u shkaktua pas një periudhe me reshje intensive dhe të vazhdueshme shiu në zonë. Masat e ujit ngopën terrenin, duke destabilizuar shpatin dhe duke sjellë shembjen e mijëra metrave kub dheu dhe shkëmbinjsh mbi rrugë, fakt që detyroi autoritetet të mbyllnin menjëherë qarkullimin për arsye sigurie.

Prej 25 ditësh, zona është shndërruar në një kantier të madh ndërtimi me synim parandalimin e rrëshqitjeve të reja në të ardhmen.Në terren ndodhen vazhdimisht gjeologë dhe inxhinierë, të cilët monitorojnë lëvizjen e tokës përmes sensorëve të vendosur në shpat. Të dhënat që mblidhen do të përcaktojnë studimin për stabilizimin përfundimtar dhe zgjidhjen afatgjatë të problemit.

Sipas vlerësimeve aktuale, drejtimi nga Arta drejt Amfilohisë do të mbetet i mbyllur për të paktën dy muaj, ndërsa mbetet e paqartë nëse do të lejohet qarkullimi në dy kahet për periudhën e Pashkëve.

Autostrada Joniane (A5) është një nga akset më të rëndësishme rrugore të vendit. Ajo u dha në funksion të plotë në gusht 2017 pas gati 11 vitesh punimesh. Me gjatësi rreth 196 kilometra dhe kosto totale 1.1 miliard euro, lidh Antirion me Janinën dhe rrjetin e autostradës Egnatia.

Mbyllja për një periudhë kaq të gjatë ka krijuar probleme serioze në lëvizjen e automjeteve dhe në transportin e mallrave, duke detyruar drejtuesit të përdorin rrugë alternative.

Ndërkohë, situata lidhet edhe me kushtet e motit, pasi reshjet e shumta në ditët e fundit në Greqi kanë shkaktuar probleme në shumë rajone, me përmbytje në Evros, Kozan dhe Ilia, si dhe dëmtime dhe ndërprerje të përkohshme të qarkullimit në disa segmente të tjera të rrugëve dytësore të vendit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB