I doli emri në dokumentet e dosjes Epstein, ish-sekretari i Thesarit të SHBA-së jep dorëheqjen si profesor në Universitetin e Harvardit
Sulmet e vazhdueshme të Moskës ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës kanë rritur shqetësimet në Evropë për sigurinë e rrjeteve elektrike.
Vendet përgjatë kufirit rus po ndërmarrin masa të përshpejtuara për të mbrojtur sistemet e tyre energjetike nga sulmet ushtarake dhe sabotimet.
Sipas ‘Politico‘, Estonia, Letonia, Lituania dhe Polonia kanë siguruar fonde të reja nga Bashkimi Evropian për të rritur sigurinë e infrastrukturës së tyre energjetike.
Rreth 113 milionë euro nga buxheti afatgjatë i BE-së do të financojnë masa të ndryshme mbrojtëse, përfshirë barriera fizike, sisteme kundër dronëve, mbrojtje ndaj sulmeve kibernetike, dislokim trupash për ruajtjen e instalimeve kritike dhe ekipe të reagimit të shpejtë për riparime emergjente. Kjo është hera e parë që Komisioni Evropian ndan fonde specifike për mbrojtjen fizike të rrjeteve energjetike.
Prej kohësh vendet e BE-së janë fokusuar në sigurinë e furnizimit me energji, por theksi mbi mbrojtjen fizike të infrastrukturës është relativisht i ri dhe reflekton vlerësimin në rritje se lufta përbën një kërcënim real.
“Ajo që shohim në Ukrainë është energjia e përdorur si armë”, tha ministri i Energjisë i Lituanisë. Sipas tij, në kohë paqeje përgjegjësia për mbrojtjen bie mbi kompanitë energjetike, ndërsa në kohë lufte ajo kalon tek institucionet e mbrojtjes.
Që nga viti i kaluar, Rusia ka intensifikuar sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës. Sipas organizatës mjedisore Greenpeace, vetëm në janar u përdorën mijëra dronë, bomba të drejtuara dhe raketa kundër termocentraleve, nënstacioneve dhe impianteve të ngrohjes.
Fushata ka lënë rajone të tëra pa energji dhe miliona njerëz në temperatura nën zero, duke e bërë çështjen e sigurisë energjetike urgjente për vendet e tjera evropiane.
Ministri i Energjisë i Letonisë, Kaspars Melnis, e cilësoi financimin si simbolik, por të rëndësishëm.
“Nuk është një shumë e madhe parash, por është një mbështetje e rëndësishme”, tha ai.
Serioziteti i kërcënimit u theksua pas dëmtimit të kabllos nënujore EstLink 2, që lidh vendet baltike me Finlandën në fund të vitit 2024. Incidenti rriti kostot e importeve të energjisë dhe nxori në pah dobësitë e infrastrukturës kritike.
Riparimi i kabllos u vonua për gjashtë muaj për shkak të mungesës së pjesëve rezervë, çka shtyu Letoninë të fillojë grumbullimin e komponentëve dhe forcimin e kapaciteteve rezervë.
“Nuk mund ta mbrosh çdo metër kabllo, por duhet të jesh gati ta rindërtosh shpejt”, tha Melnis.
Aktualisht, patrullat e NATO-s po monitorojnë zonën detare ku kalon EstLink 2, ndërsa Letonia dhe Lituania kanë instaluar sisteme kundër dronëve në pikat kritike të rrjeteve të tyre. Të tre vendet baltike kanë ndërprerë lidhjet e rrjetit me Rusinë dhe Bjellorusinë, duke forcuar ndërlidhjet me Poloninë.
Edhe Finlanda ka investuar prej vitesh në zgjerimin e rrjeteve, rritjen e energjisë së rinovueshme, varrosjen e kabllove nën tokë dhe forcimin e lidhjeve energjetike me fqinjët.
Sipas autoriteteve lituaneze, që nga viti 2022 janë regjistruar mbi 30 incidente ose tentativa për dëmtim të infrastrukturës energjetike.
Në dimrat e ashpër baltikë, ndërprerjet e energjisë mund të bëhen çështje jete a vdekjeje. Për këtë arsye, vendet e rajonit po kërkojnë që financimi i BE-së për sigurinë energjetike të zgjerohet në të gjithë Evropën.
Ministri i Energjisë i Estonisë, Andres Sutt, mbështeti planet e BE-së për ndërtimin e ndërlidhjeve të reja energjetike në të gjithë bllokun.
“Sa më të ndërlidhur të jemi në Evropë, aq më elastik është sistemi”, tha ai.
Top Channel