Spanja hap dosjet e grushtit të shtetit të 45 viteve më parë/ Çfarë zbulojnë dokumentet sekrete për rolin e mbretit
Hezbollahu nuk ka në plan të ndërhyjë ushtarakisht në rast të një sulmi të “kufizuar” të Shteteve të Bashkuara ndaj Iranit, por e konsideron çdo sulm ndaj udhëheqësit Suprem, Ajatollah Ali Khamenei, si “vijë të kuqe”.
Sipas një zyrtari francez, në rast të sulmeve të kufizuara të SHBA-së kundër Iranit, qëndrimi i Hezbollahut do të jetë të mos ndërhyjë ushtarakisht. Megjithatë, ai theksoi se çdo shënjestrim i Udhëheqësit Suprem të Iranit do të përbënte tejkalim të kufijve, me pasoja potencialisht më të gjera për rajonin.
Autoritetet libaneze shprehin shqetësim se organizata mund të përfshihet në konflikt nëse një sulm i mundshëm amerikan ndaj Teheranit do të çonte në një luftë të përgjithshme rajonale. Ndërkohë, forcat e armatosura izraelite kanë intensifikuar sulmet ajrore kundër objektivave të lidhura me Hezbollahun në Liban, mes spekulimeve për një mbështetje të mundshme të grupit ndaj Iranit në rast përshkallëzimi me Izraelin.
Në planin diplomatik, ministri i Jashtëm gjerman, Johann Vandevoll, deklaroi se Irani duhet të angazhohet në negociatat me Shtetet e Bashkuara për t’i dhënë fund mbështetjes së tij ndaj organizatave të armatosura si Hamasi në Gaza, Hezbollahu në Liban dhe Huthitët në Jemen.
Duke folur në një konferencë të përbashkët për shtyp me homologun e tij belg, Maxime Prevost, ai theksoi se Gjermania ka një “përgjegjësi të veçantë për sigurinë e Shtetit të Izraelit”, duke riafirmuar qëndrimin e palëkundur të Berlinit në mbështetje të sigurisë izraelite.
Ndërkohë, Izraeli po ndërmerr masa për t’u përgatitur për një përshkallëzim të mundshëm. Sipas medias izraelite Ynet, organizatat e menaxhimit të shëndetit publik kanë krijuar rezerva të pajisjeve mjekësore, ilaçeve dhe materialeve laboratorike të mjaftueshme për rreth 60 ditë, në rast të një sulmi të mundshëm nga Irani.
Në rast konflikti, parashikohet forcimi i shërbimeve shëndetësore në distancë, përfshirë vizitat mjekësore online, qendrat e mbështetjes për shtatzëninë dhe linjat telefonike me infermierë, me synim garantimin e vazhdimësisë së kujdesit shëndetësor në kushte krize.
Gjithashtu, janë planifikuar qendra emergjente në rast evakuimi, si dhe linja telefonike me punonjës socialë për të ofruar mbështetje psikologjike për qytetarët që përjetojnë ankth për shkak të situatës.
Top Channel