Vrasja e biznesmenit në Tepelenë, dëshmia e të afërmit në GJKKO: Hapa derën se më ra plumbi në shtëpi, kur dola e pashë të mbuluar në gjak

25/02/2026 13:47

Gjykata e Posaçme ka vijuar me dëgjimin e dëshmitarëve të radhës, në procesin ndaj Leart Haxhisë, që dyshohet se, në hakmarrje e sipër, orkestroi disa ngjarje kriminale në vend, mes tyre edhe për të vrarë nipin e Aldo Bares, kreu i një tjetër bande në Lushnjë.

Në Gjykatën e Posaçme u dëgjua Leonard Selimi, i afërm i biznesmenit Çajup Selimi, i vrarë në qendër të Tepelenës gjatë vitit 2021. “Nuk dëgjova zhurmë, nuk dëgjova krisma dhe as e pashë autorin”, deklaroi dëshmitari, i cili kujtoi se kur kishte dalë në derën e banesës, pa kushëririn të gjakosur.

“U mundova t’i jap ndihmën e parë”, shtoi Selimi, “por nuk kishte asnjë reagim prej tij”. Duke përshkruar viktimën si një djalë të qetë dhe punëtor, dëshmitari këmbënguli se para ngjarjes nuk dinte asgjë rreth konflikteve të të afërmit. “Pasi u vra, mësova për problemet që kishte me disa nga Tepelena, por ata erdhën në varrim dhe ndaj them që gjërat ishin rregulluar mes tyre.

Ne nuk i japim asnjë shpjegim kësaj vrasjeje”, deklaroi familjari i viktimës, i vrarë sipas SPAK me porosi të Laert Haxhisë.

Ekzekutimi i Çajup Selimit u zbardh mes 16 episodeve të tjera kriminale nga i penduari Artan Tafani, që pas arrestimit në 2023 tregoi se për të mos u identifikuar kishte vendosur një kapele dhe një maskë anticovid.

Nga ana tjetër, për vrasjen ka folur bashkëpunëtori i drejtësisë Artan Tafani, i cili tregon se është paguar për vrasjen e Çajup Selimit 25 mijë euro, të dhëna nga Laert Haxhia, i konsideruar si kreu i një grupi kriminal në Lushnjë.

Top Channel