Liga e Kampioneve / Raundi i fundit eliminator kishte plotë drama, surpriza dhe mrekulli në të dy netët europiane
Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit pezulloi nga detyra inspektorin Aurel Kaziu, me detyrë agjenti i Policisë Kriminale në Komisariatin e Kamzës, pas njoftimit nga pala kosovare se ai ra në pranga së bashku me 2 të tjerë një ditë më parë, pasi tentuan të fusin nga Serbia në Kosovë 1 milionë euro të padeklaruara.
Në studion e Top Story, eksperti i sigurisë Ergys Muzhaqi u shpreh se, duke u nisur nga sasia e kapur e parave, nuk të çon drejt një grupi të fuqishëm kriminal. Sipas tij, taktika ishte e dobët dhe grupet kriminale kanë metoda më të sofistikuara për të sjellë shuma të mëdha parash në Shqipëri.
“Teknikisht nuk ka shumë informacione, ngrihen aludime të ndryshme, por mbetet për t’u parë si do të përgjigjet para trupës hetimore. Duke u nisur nga sasia e parave të sekuestruara, nuk më duket një shifër shumë e lartë, as e vogël. Grupet e fuqishme kriminale kanë metoda më të suksesshme për kalimin e më shumë parave. Një nga mendimet që më lind është se ka qenë një grup më modest, por supozojmë që janë para të përfituara nga krimi, ose droga. Duhet parë edhe rrethi që e ka angazhuar në polici. Janë gjëra që duhen parë. Duke u nisur nga mënyra sesi e ka bërë këtë aktivitet, me një makinë spontane. Mund të ketë pasur edhe një informacion. Ka shtete që ne shqiptarëve na bëjnë pak “zbor” në kufi. Nuk pyesin se çfarë ke qenë apo çfarë je. Ato pretendojnë se ka qenë përzgjedhje rastësore”, u shpreh Muzhaqi.
Profesori i kriminalistikës, Ervin Karamuço, tha se një nga burimet e parave mund të jetë e shqiptarëve që punojnë në të zezë në Europë.
“Agjenti nuk është ndjerë mirë. Ka thënë do iki, do marrë leje, komandanti nuk e ka zëvendësuar dhe janë pezulluar nga detyra. Një furgon bie në sy, Kosova e ka skanerin shumë të fuqishëm në kufi me Serbinë. Ne e kemi liberalizuar shumë kufirin me Kosovën. Ka dy linja. E para është e shumë emigrantëve që punojnë në të zezë dhe sjellin paratë në Shqipëri. Ata i kanë të ndara, mblidhen dhe janë me emra. Rasti konkret nuk i përket rastit të tillë. Janë para që kanë të bëjnë me një dorë të vetme. Nuk kanë ndarje, do të thotë vijnë nga një burim i paligjshëm. Ka linja që sjellin nëpërmjet kufijve shuma të konsiderueshme parash. Kjo është sfidë e policisë sonë, edhe e Kosovës. Nuk e dimë nëse do mbërrinin në Kosovë apo në Shqipëri. Pastrimi i parave më pas ka 100 mënyra pastaj”, u shpreh Karamuço.
Top Channel