Inside Story/ “Fëmijët, gratë dhe pleqtë, u masakruan dhe u hodhën në pus”! Akti çnjerëzor serb nuk mbaroi me aq…
Ky rrëfim tronditës nuk ka asnjë lidhje me botën njerëzore. Ky ish-luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka gjetur forcat dhe nuk u ndal kurrë me gjithë këtë tragjedi të këtyre përmasave. Një tragjedi e rrëfyer brenda mureve që mbajnë mbi supe kujtesën e një masakre antishqiptare.
“Kjo ka qenë shtëpia ime ku kam jetuar me 20 anëtarë të familjes. Më kanë vrarë 14 anëtarë të familjes së ngushtë, dy prindërit, 4 motrat, bashkëshortja me 4 fëmijët, një vajzë e 3 djem, bashkëshortja e vëllait me 2 vajza. Kjo është vrarë familja e dy xhaxhallarëve, familja e xhaxhallarëve…”, u shpreh Fadil Muqolli, familjar i viktimave.
Varrimi i përbashkët i personave të vrarë në masakrën e Poklekut u bë më 20 gusht të vitit 1999, 4 muaj pas ngjarjes tragjike. Inside Story ka arritur të sigurojë filmimet e gjetura dhe të arkivuara nga Esat Shala.
Pamjet të cilat po i shfaqim të censuruara janë të tmerrshme. Ato tregojnë keqtrajtimin që u është bërë trupave. Në filmimet e siguruara nga dita e varrimit të tyre shihet qartë makabriteti i serbëve kundrejt popullsisë civile shqiptare.
Eshtrat e mbledhura nga Fadili dhe ushtarët e tjerë kanë qenë të pamundur të identifikohen, prandaj janë varrosur të gjithë bashkë në një varr masiv. 51 personat që kanë humbur jetën në dhomë prehen së bashku, ndërsa dy personat e rritur që u vranë në oborr dhe u hodhën në pus u varrosën me arkivole të ndarë, me flamur shqiptar.
Këto pamje i përkasin shtëpisë pak muaj pas ngjarjes makabre. Aty duken qartë gjurmët e asaj marrëzie antinjerëzore. Gjithçka është e djegur, ndërsa kanë mbetur sende personale të viktimave, që nga bizhuteritë, apo edhe mjete të jetesës së përditshme…
A vjen shpesh këtu Fadil?
Çdo ditë… Unë punoj, por kur e kryej punën nuk mund të shkoj në shtëpi pa ardhur këtu njëherë.
Dhimbja për Fadilin ka qenë e papërshkrueshme… Pa kufij e ngushëllim… Të përballesh me skena të tilla e humbje kaq të forta, njeriu ka edhe momente dobësie. Në rrëfimin e tij emocional për humbjen e fëmijëve dhe familjes, ai tregon edhe momentin më të vështirë…
Kur mësoi për vdekjen e fëmijëve, Fadili tentoi t’i japë fund jetës, por ishte i vëllai i vogël që e shpëtoi.
“Kur ka përfunduar lufta kam ardhur me vëllain e vogël, ka qenë 14 vjeç. E kam mbajtur pas vetes, sepse ka qenë me shtat të rritur dhe kam pasur frikë se nëse shkonte civil, do e vrisnin. Kam ardhur këtu, vëllain e kam lënë 300 metra larg. Kam hyrë brenda, nuk e di sa kohë kam qëndruar, kam hapur pakon e cigares kur kam hyrë dhe kur kam dalë i kam pasur 4 cigare”, u shpreh Fadil Muqolli, familjar i viktimave.
Jam ulur te shkallët, kam menduar çfarë të bëj. Ka ardhur vëllai, më ka thirrur dhe më ka prekur në krah, pse s’po më flet… E kam çuar kokën, e kam parë, më ka pyetur: A e di se më kanë vrarë babën e nënën? I thashë po… A e di se të kam babë e nënë, jam ngritur, e kam përqafuar dhe kam vendosur të vazhdoj jetën.
Top Channel