“Kushdo që vendos në dyshim ndërhyrjen ushtarake të NATO-s në Serbi, e ftoj të shkojë të vizitojë Poklekun”. Fjalia ikonike e Lord George Robertson i referohet pikërisht pamjeve të tilla…

Një prej masakrave më të rënda të luftës së Kosovës në popullatën civile është kryer në fshatin Poklek në Drenas.

Familja Muqolli dhe Elshani si dy më të dëmtuarat humbën 53 anëtarë. Mes tyre, 24 fëmijë të mitur, të moshuar dhe gra. Të gjithë të pafajshëm. Të pambrojtur përballë egërsisë së makinerisë shfarosëse të ushtrisë serbe që nuk njihte limite në urrejtjen ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Ata tentuan që të shuajnë vazhdimësinë e ekzistencës së shqiptarëve në ato troje. Dokumentimi i ngjarjeve të tilla, duhet të ketë një rëndësi të madhe, si kujtesë kombëtare dhe ndërkombëtare mbi të gjitha.

Sot e kësaj dite, kur kanë kaluar 27 vite nga ai krim gjenocidial, gjaku i të pafajshëmve mbetet ende i freskët në bodrumet e shtëpisë së kthyer në muze të familjes Muqolli.

Fadili ishte në luftë, si ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kur mësoi vrasjen e 4 fëmijëve, bashkëshortes, prindërve, nipërve, mbesave dhe rrethit të tij më të ngushtë familjar. Shtëpia e familjes Muqolli është kthyer në muze, për meritë të madhe të Fadilit që ka ruajtur gjithçka siç ka qenë dhe është munduar të lërë një dëshmi të fortë të krimeve çnjerëzore të serbëve në Kosovë.

“Me datë 17 prill 1999, forcat serbe kanë sulmuar fshatin rreth orës 6 të mëngjesit. Familja është zgjuar, ka qenë e shtunë, ditë me shi. Familja është zgjuar, prej pamundësisë për tu larguar për të ikur në mal për shkak të krismave ka vendosur të shkojë në qytetin e Drenasit. Kanë shkuar, se i kam përcjellur me sy, deri në Drenas. Forcat serbe u kanë dalë në rrugë dhe ua kanë ndaluar që të hyjnë në Drenas. Baba ka refuzuar dhe forcat serbe e kanë qëlluar në ajër dhe i kanë kërcënuar se nëse nuk ktheheni, do të ju vrasim këtu”, u shpreh Fadil Muqolli, familjar i viktimave.

Të gjendur në kushte të pamundura për të reaguar, 59 personat që kanë qenë pjesë e këtij grupimi janë detyruar të kthehen sërish në shtëpinë e tyre. Forcat e UCK-ës nuk kanë arritur të ndalin sulmin e serbëve, ndërkohë që Fadili nuk kishte asnjë dijeni se tashmë fëmijët e tij ishin kthyer sërish në shtëpi.

“Forcat serbe kanë ardhur, i kanë nxjerrë prej dhomës dhe i kanë numëruar se kanë qenë 59 persona. I kanë futur brenda, pas 15 minutave janë kthyer dhe kanë nxjerrë baben, Sinan Muqollin dhe Ymer Elshanin, i kanë nxjerrë në oborr dhe i kanë ekzekutuar menjëherë. Sapo i kanë ekzekutuar, janë kthyer duke gjuajtur në drejtim të shtëpisë për të mos i lënë që të dalin jashtë…”, tha Fadil Muqolli, familjar i viktimave.

Pavarësisht se pjesa më e madhe e personave kanë qenë të mitur, të paktën 23 persona, forcat serbe nuk e kanë marrë parasysh diçka të tillë. Ata kanë pasur qëllim të qartë për eliminimin e tyre me çdo kusht.

“Menjëherë sapo janë futur brenda kanë hapur derën e dhomës dhe kanë lëshuar dy bomba dore. Pas qetësimit të bombave ka hyrë me pushkë automatike dhe ka hyrë duke qëlluar deri në momentin që ai ka menduar se i ka vrarë të gjithë dhe është larguar nga këtu”, u shpreh Fadil Muqolli, familjar i viktimave.

Nga dhoma kanë arritur të dalin të gjallë 6 persona, 5 prej tyre vazhdojnë të jenë dëshmitarë të gjallë të masakrës së Poklekut, ndërsa një prej tyre ka ndërruar jetë pas luftës.

“Në këtë dhomë kanë mbetur 51 persona të vrarë. Kanë pasur të lënduar, të plagosur, ka pasur fëmijë të palënduar, të paplagosur që kanë mbetur gjallë, mirëpo nanat e tyre nuk kanë pranuar që tua marrin fëmijët që ti largojnë. Forcat serbe janë riktheyr sërish pas një ore këtu dhe e kanë ndjekur dhomën me njerëz brenda”, u shpreh Fadil Muqolli.

Pikërisht në dhomën ku Fadili po rrëfen historinë e tij ka ndodhur dhe masakra më e përbindshme që një qenie njerëzore mund të mendojë, djegia e trupave. Aty, u dogjën për së gjalli edhe fëmijët që kishin shpëtuar deri në ato momente.

“Vëllai Qamili atë natë e ka kuptuar se çfarë ka ndodhur dhe ka ardhur ka hyrë brenda. I ka parë njerëzit, kanë qenë njerëz komplet të djegur, por të plotë. Të nesërmen sërish kemi ardhur në mbrëmje dhe kemi parë se ishin vetëm kockat, ndryshe nga një natë më parë kur ishin të djegur, por ishin trupat e plotë. Në 2 të natës ishin vetëm kockat, por kockat komplet”, tha Fadil Muqolli.

Urrejtja patologjike nuk mjaftoi me kaq. Serbët, pasi kishin kryer një krim të tmerrshëm, tashmë donin që të eliminonin çdo gjurmë të mundshme. Ata nuk donin të linin prova për ndonjë hetim të mundshëm të masakrave ndaj civilëve. Me këtë plan në kohë, ata vazhduan më tej me planin e tyre antinjerëzor që nuk kishte kufij. Po përgatiteshin të zhduknin përfundimisht mbetjet njerëzore ku shumica ishin fëmijë.

“Në ditën e 6 të masakrës, kemi ardhur sërish dhe eshtrat kanë qenë sa paketa cigaresh dhe të ndara nga ajo anë dhe nga kjo anë, të përgatitur për ti marrë. Jemi organizuar si ushtarë dhe kemi marrë një bateri makine, batanije dhe qese të najlonit. Kemi ardhur dhe kemi mbyllur dritën, kemi marrë eshtrat dhe i kemi futur në thasë, i kemi çuar në mal, kemi hapur një bunker dhe i kemi fshehur”, tha Muqolli.

Në qese kanë qenë vetëm mbetjet e trupave të 51 anëtarëve të familjes së tyre. Trupat e Sinan Muqollit dhe Ymer Elshanit, nuk u arrit që të gjendeshin menjëherë, pasi vendi ku u ekzekutuan ishte i djegur. Atje u gjet vetëm ora e Sinanit. Pas shumë kërkimeve të ushtarëve kanë gjetur trupat e tyre në pusin e shtëpisë.

Ushtarët e UCK-ës kanë arritur të nxjerrin trupat e të moshuarve, që po ashtu kanë qenë të djegur dhe janë varrosur në mal. Fadili është rikthyer sërish në shtëpi për të kuptuar nëse ka mbetur dikush në katet e sipërme të banesës.

“Nuk kishte, por kam shkuar dhe jam futur në bodrum, me Nehat Sulejmanin. E kam hapur derën kur kam hyrë brenda kam shkelur se diçka ka në tokë, të lagur. Kemi hyrë brenda, e kemi mbyllur derën, e kam prekur dhe kam ndezur shkrepësen dhe kemi parë se është gjak. Muri ka qenë në të dy krahët, në të majtë dhe të djathtë vetëm gjak. Edhe tavani, pllaka lart ishte duke pikuar gjak, mesi i tavanit që dhe sot është gjaku. Ishte duke pikur gjak…”. u shpreh Fadil Muqolli.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB