Inside Story/ “Fëmijët, gratë dhe pleqtë, u masakruan dhe u hodhën në pus”! Akti çnjerëzor serb nuk mbaroi me aq…
Humbjet në familjen Deliu nuk ishin vetëm 16 martirët që mbetën në këtë pjesë të pyllit.
Ata patën edhe humbje të tjera në atë datë të errët, disa orë më vonë, në mbrëmjen e 26 shtatorit 1998.
“Në vendin ku i kemi sot varrezat e martirëve, baca Habib me vëllain Hysenin dhe me dy vajzat e Hysenit kanë rënë në pritë dhe janë ekzekutuar në mënyrat më mizore. Në përjashtim të Hysenit, i cili është ekzekutuar me 8 plumba, të gjithë të tjerët janë vrarë me armë të ftohta dhe janë keqtrajtuar në mënyrat më çnjerëzore. Mihanja ka qenë 16 vjeçe, ndërsa Gentiana 14 vjeçe. Nëna e tyre është ende gjallë dhe, për hir të saj, gjithmonë kam qenë i rezervuar të tregoj në çfarë gjendjeje i kam gjetur”, u shpreh familjari i viktimave, Imer Deliu.
Imeri nuk dëshiron të futet në detaje, pasi ndaj trupave të dy të miturave janë kryer veprime çnjerëzore. Në masakrën e Abrisë, Imerit i ka mbijetuar vetëm një djalë, ndërsa vëllait të tij i kanë shpëtuar tre fëmijë.
“Në ngjarjen këtu, nga gjithsej 10 fëmijë që kanë qenë, 4 kanë vdekur dhe 6 kanë shpëtuar, por me plagë shumë të rënda. Ata kanë pësuar traumë të madhe dhe i kemi trajtuar për një kohë të gjatë pas luftës te psikologë dhe psikiatër. Fëmija më i madh ka qenë Besniku, 5 vjeç, Liridona, 3 vjeçe, djali im, 2 vjeç, Arlinda ka qenë 14 muajshe. Fëmijët kanë mësuar nga librat, sepse vetë nuk mund të kujtojnë asgjë”, u shpreh Imer Deliu, familjar i viktimave.
Pavarësisht se kujtimet janë të freskëta dhe dhimbja mbetet e fortë, Imeri vjen shpesh në këtë vend ku ka mbetur pjesa më e madhe e familjes së tij.
“Ndodh ndoshta të kalojë një muaj, por dy muaj nuk kalojnë kurrë pa ardhur këtu. Unë vij shpesh në fshatin Abri dhe, thjesht, si të them, vij e çmallem pak. Tani jam i moshuar dhe lotët më dalin më lehtë. I kujtoj djalin kur e kam gjetur, i kujtoj orën që ia kam hequr nga dora dhe i kam thënë se do ta ruaj për kujtim, por nuk kam mundur ta ruaj”, u shpreh Imer Deliu.
Askush nuk mund të futet në lëkurën e shqiptarëve të Kosovës që kanë humbur pjesëtarë të familjes në luftë. Ata jetojnë mes kujtimeve të fundit me të dashurit e tyre. Asgjë nuk mund të harrohet.
“Kujtoj shumë gjëra. Më 24 shtator, ditë e enjte, edhe pse isha pjesë e UÇK-së, natën e kalova me familjen në këtë tendë. Me një dhëndër kemi bërë presion që të largoheshin nga këtu, por familja ka refuzuar me vendosmëri, sepse ndiheshin të sigurt. Fatkeqësisht janë zbuluar nga forcat serbe dhe ndodhi ajo që ndodhi. Kampi serb ka qenë vetëm 2 kilometra larg nga këtu”, u shpreh Imer Deliu.
Shpesh, luftëtarët e UÇK-së shihnin me dhimbje nga larg se si forcat serbe sulmonin civilët nëpër fshatra. Deliu kujton se nga largësia kishte arritur të dallonte se diçka po ndodhte në fshat.
“Lajmin e mora vesh kur shkova në derën e oborrit tim. Sikur e parandjeja diçka, pasi kam qenë rreth 2 kilometra larg. Kisha dylbi, kishte mjegull dhe tym. Dëgjova zhurmën e artilerisë dhe disa të shtëna armësh. Kam qenë gjithë ditën në vëzhgim. Natën u kthyem dhe u futëm në lagje. Sapo hymë, gjetëm kufomën e vëllait, i cili kishte lënë tendën dhe me një kushëri kishte shkuar të shpëtonte diçka nga shtëpitë që po digjeshin, por ishin ekzekutuar të dy”, u shpreh familjari i viktimave.
Kanë kaluar dy dekada, Kosova është e lirë dhe sakrifica e familjes Deliu ka dhënë fryt. Megjithatë, dhimbja personale mbetet e thellë. Imeri ka vuajtur shumë, por dallohet qartë dashuria e tij e pakushtëzuar për Kosovën.
“Unë i mbaj mend të gjitha detajet dhe trupat si kanë qenë e si janë gjetur, por tani nuk përmbahem si më parë, kur rrëfeja dhe isha i ri. Mosha po bën të vetën. Atëherë kam qenë 38 vjeç, tani jam 66 vjeç”, u shpreh Imer Deliu.
“Ne jemi një popull që kemi vuajtur. Para 50 vitesh kurrë nuk e kemi menduar se do të vinte dita që vëllezërit tanë nga Shqipëria t’i prisnim të lirë në vendin tonë. Për mua ëndërr ka qenë të shihja një herë sheshin ‘Skënderbej’ në Tiranë, por kurrë nuk e kam menduar se do të vinte ajo ditë. Puna dhe sakrifica e njerëzve e ka bërë të vetën”, u shpreh Imer Deliu.
Së fundmi, ka pasur tentativa për baltosjen e luftës së UÇK-së në gjykatën ndërkombëtare në Hagë.
“Për ne luftëtarët e UÇK-së nuk është e lehtë të dëgjojmë për akuzat në Hagë. Tentativa për baltosjen e luftës sonë për liri ka qenë skandaloze. Unë i kam fëmijët e ekzekutuar. Djali im e ka pasur nofullën e shkatërruar nga granata. Sot trajtohem si kriminel, ndërsa kriminelët si viktima. Mua më mundon drejtësia ndërkombëtare, që nuk e ka mbajtur anën e së drejtës. Për mua, në Hagë nuk ka drejtësi”, u shpreh Imer Deliu familjar i viktimave.
Top Channel