Inside Story/ “Fëmijët, gratë dhe pleqtë, u masakruan dhe u hodhën në pus”! Akti çnjerëzor serb nuk mbaroi me aq…
Grupi i xhirimit vijoi rrugëtimin nga Drenasi drejt Abrisë së Epërme.
Aty ka ndodhur një tjetër masakër e tmerrshme, ku kanë mbetur viktima edhe fëmijë të pambrojtur të familjes Deliu.
Bacë Imeri na pret me një forcë të jashtëzakonshme dhe me një pozitivitet të rrallë, pavarësisht se shpatullat e tij mbajnë një peshë të rëndë dhimbjeje.
Imeri na prin drejt vendit ku ka ndodhur masakra ndaj familjes së tij. Ai tregon me detaje çfarë ka ndodhur më 26 shtator 1998, kur humbi më të shtrenjtët e tij, pikërisht në pyllin ku kishin hapur çadrën për t’u shpëtuar forcave serbe. Civilë të pafajshëm, fëmijë, të moshuar dhe gra shtatzëna ishin mes viktimave. Asnjë arsye për t’i sulmuar.
“Këtu është vendi ku është ekzekutuar familja Deliu, më 26 shtator 1998. Ky vend emërtohet si Zabeli i Rranjëve. Pikërisht këtu janë ekzekutuar 16 persona, nga mosha 69-vjeçare, që ishte xhaxhai Ali, e deri te 2-vjeçari, që ishte Valmiri. Forcat serbe e kanë zënë peng mixhën Ali dhe e kanë sjellë afër tendës që ka qenë aty. Sapo kanë arritur, e kanë ekzekutuar rreth 50 metra larg tendës. E kanë vrarë me thikën që e kishte për përpunimin e duhanit”, u shpreh familjari i viktimave, Imer Deliu.
Për një tablo më të qartë, forcat serbe hynë në pyll dhe arritën të zbulojnë tendën ku ishte strehuar familja Deliu, me gra, fëmijë dhe të moshuar. Ata kishin braktisur banesën për të qenë më të sigurt, por fatkeqësisht nuk ndodhi kështu.
“Te tenda kanë hedhur dy granata, sipas gjurmëve që janë gjetur. Aty kanë vrarë dy motrat e mia dhe në të njëjtën kohë janë plagosur katër fëmijë: Besniku, Liridona, Arlinda, fëmijët e vëllait, si dhe djali im Alberti. Pjesa tjetër e familjes është munduar të largohet nga ai breg”, u shpreh Imer Deliu.
Por forcat serbe, megjithëse të vetëdijshme se po qëllonin civilë të pafajshëm dhe fëmijë të pambrojtur, nuk u ndalën. Ata vijuan sulmin pa asnjë keqardhje apo ndjenjë njerëzore, madje edhe ndaj një foshnjeje që ndodhej në djep.
“Ata hodhën një tjetër granatë dore dhe viktima e radhës ishte djali im, Jetoni, 10-vjeçar. Rreth 4-5 metra më tutje ishte nëna, kunata Luljeta, që ishte shtatzënë në muajin e nëntë; ishte Valmiri, djali 2-vjeçar i vëllait; ishte nëna e Valmirit, 27-vjeçare. Ndërsa në anën e majtë ishte bashkëshortja ime, Lumnija, me dy vajzat: Menduhina, 4-vjeçare, e cila u vra, dhe Dituria, 6-javëshe, që i mbijetoi masakrës pasi kishte mbetur nën trupin e nënës së saj dhe jetoi për rreth 25-30 orë”, u shpreh Imer Deliu, familjar i viktimave.
Foshnja e familjes Deliu nuk arriti t’i mbijetonte ndarjes nga nëna. Ajo u gjet ende në jetë dhe u largua nga vendi i masakrës, por në kushtet ekstreme të luftës dhe mungesës së kujdesit mjekësor për një foshnje, nuk ia doli. Fotot e këtij engjëlli të vogël mbeten dëshmi e dhimbjes së thellë që la pas lufta në Kosovë.
Top Channel