Kina sanksionon 40 kompani japoneze për shkak të “rimilitarizimit” të Tokios, tensionet mes dy vendeve u përshkallëzuan pas deklaratave për Tajvanin

24/02/2026 07:49

Qeveria kineze ka vendosur masa kundër 40 kompanive dhe subjekteve japoneze, kryesisht të lidhura me sektorin e mbrojtjes, në një lëvizje që Pekini e justifikon si kundërpërgjigje ndaj asaj që e cilëson si “rimilitarizim” të Japonisë.

Vendimi shënon një përshkallëzim të ri në marrëdhëniet mes dy ekonomive më të mëdha të Azisë.

Sipas Ministrisë Kineze të Tregtisë, 20 kompani japoneze janë përfshirë në listën e kontrollit të eksporteve, duke u ndaluar, me disa përjashtime, furnizimin me mallra dhe teknologji me përdorim të dyfishtë, pra me aplikim civil dhe ushtarak. Në këtë listë bën pjesë edhe Mitsubishi Heavy Industries Shipbuilding Co., për të cilën Pekini pretendon se është e përfshirë në forcimin e kapaciteteve ushtarake të Japonisë.

“Për të mbrojtur sigurinë kombëtare dhe interesat kombëtare, si dhe për të përmbushur detyrimet tona ndërkombëtare në lidhje me mospërhapjen, u vendos përfshirja e tyre në listën e kontrollit të eksporteve”, thuhet në deklaratën zyrtare.

Njëkohësisht, 20 subjekte të tjera japoneze janë shtuar në një “listë mbikëqyrjeje”, që nënkupton kontrolle më të rrepta për eksportet e mallrave me përdorim të dyfishtë. Mes tyre përfshihen Subaru Corporation dhe Fuji Aerospace Technology Co. Ltd..

Tensionet mes Pekinit dhe Tokios janë përkeqësuar që prej nëntorit 2025, kur kryeministrja japoneze Sanae Takaichi deklaroi se Japonia mund të ndërhyjë ushtarakisht në rast të një sulmi kinez ndaj Tajvanit, të cilin Kina e konsideron provincë të saj. Deklaratat e saj shkaktuan reagim të ashpër nga Pekini, i cili u bëri thirrje qytetarëve të shmangin udhëtimet drejt Japonisë dhe vendosi kufizime në tregtinë dypalëshe.

Në një deklaratë të veçantë, një zëdhënës i Ministrisë Kineze të Tregtisë theksoi se masat janë “legjitime, të arsyeshme dhe ligjore” dhe synojnë të kundërshtojnë përpjekjet e Japonisë për rimilitarizim dhe ambicie bërthamore. Ai sqaroi gjithashtu se vendimi prek vetëm mallrat dhe teknologjitë me përdorim të dyfishtë dhe nuk ndikon në “shkëmbimet normale ekonomike dhe tregtare” mes dy vendeve.

“Subjektet japoneze që demonstrojnë besim të mirë dhe respektojnë ligjet nuk kanë asnjë arsye për t’u shqetësuar”, përfundoi ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB