E zhdukur prej 24 ditësh, prezantuesja e njohur amerikane kërkon ndihmë për nënën e saj 84-vjeçare: Do t’ju shpërblejmë me 1 milion dollarë nëse…

24/02/2026 16:36

Prezantuesja amerikane e lajmeve, Savannah Guthrie, ka njoftuar se familja e saj po ofron një shpërblim prej 1 milion dollarësh për çdo informacion që çon në kthimin e nënës së saj, Nancy Guthrie, në ditën e 24-të të kërkimeve për 84-vjeçaren e zhdukur.

Duke luftuar me lotët në një video të publikuar në Instagram, prezantuesja e NBC tha se familja po përjeton “dhimbje të thellë” pas zhdukjes së nënës së saj, e cila dyshohet se është rrëmbyer nga shtëpia e saj në Tucson.

“Ne ende besojmë në një mrekulli. Ende besojmë se ajo mund të kthehet në shtëpi”, u shpreh prezantuesja.

Në videon e publikuar, ajo bëri të ditur se familja do të dhurojë gjithashtu 500 mijë dollarë për National Center for Missing & Exploited Children.

“Ju lutem, nëse e dëgjoni këtë mesazh dhe keni hezituar deri tani, le të jetë kjo shenja juaj për të folur. Tregoni çfarë dini dhe na ndihmoni ta sjellim nënën tonë të dashur në shtëpi, qoftë për të festuar një rikthim të mrekullueshëm, apo për të nderuar jetën e saj të bukur, të guximshme dhe fisnike”, u shpreh ajo.

Nancy Guthrie u raportua e zhdukur rreth mesditës së 1 shkurtit, pasi nuk u paraqit në shërbesën kishtare. Autoritete vendase kanë deklaruar se besonjnë që ajo është marrë nga shtëpia kundër vullnetit të saj, ndoshta gjatë natës, duke përfshirë mundësinë e një rrëmbimi.

Autoritetet kanë publikuar imazhe të të dyshuarit kryesor, një burrë i filmuar nga kamera e derës në shtëpinë e saj. Sipas një burimi të zbatimit të ligjit për CBS News, i njëjti person ishte parë pranë derës së saj edhe në një rast tjetër para zhdukjes.

Në një postim në platformën X, zyra e FBI në Phoenix u bëri thirrje kujtdo që ka “informacion të drejtpërdrejtë” për vendndodhjen e saj të kontaktojë linjën 1-800-CALL-FBI.

Deri më tani, shpërblimi i ofruar kishte qenë 200 mijë dollarë, 100 mijë nga FBI dhe 100 mijë të tjera nga Tucson Crime Stoppers, ndërsa hetuesit kanë marrë afro 40 mijë informacione nga publiku.

Provat e ADN-së të marra nga një dorezë e gjetur pranë shtëpisë, e ngjashme me atë që dyshohet se mbante personi i filmuar nga kamera nuk kanë dhënë përputhje në bazën e të dhënave të FBI-së.

Hetuesit kanë përjashtuar të gjithë anëtarët e familjes Guthrie si të dyshuar të mundshëm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB