Dosja e Taçit/ “Rezarti është shumë i inatosur”, zbardhen komunikimet që “fundosën” biznesmenin: Dua të shoh me sytë e mi që paratë janë në llogari

24/02/2026 16:53

13 vite burg kërkon SPAK për biznesmenin e hidrokarbureve Rezart Taçi, i shpallur në kërkim ndërkombëtar si pjesë e një grupi kriminal me të cilin akuzohet se do të pastronte 18,3 milionë euro të mafias italiane.

Gazetarja e Top Channel Anila Hoxha raporton se kryeprokurori i  SPAK Klodian Braho veç dënimit të Tacit kërkoi gjithashtu edhe konfiskimin dhe kalimin në favor te shtetit të rreth 18 milionë eurove.

Në dosjen e siguruar nga gazetarja e Top Channel Anila Hoxha, është zbardhur i gjithë “plani” për pastrimin e parave, në bashkëpunim me Francesco Zummo dhe Fabio Petruzzella.

“Rezarti ka bërë punë të madhe”, zbardhen hetimet për Taçin, planet për pastrimin e parave të mafias italiane: Ai është fuqi, e di mirë ç’duhet bërë

Hetimet kanë vijuar edhe në lidhje me përgjime të bisedave të kryera nga shtetasi italian Fabio Petruzzella.

Në bisedat që ka kryer Petruzzella me bashkëshorten e tij Marina Tizzi flasin për fatin e shumës monetare që tashmë ndodhet në Shqipëri dhe janë në pamundësi për të lëvizur fondet nga banka.

Në biseda kanë shfaqur dyshime në lidhje me besueshmërinë e pjesëtarëve shqiptarë të përfshirë në këtë veprimtari, të cilëve Petruzzella iu ka bërë presione që ai pëson nga “plaku” (Zummo) për të mësuar se ku janë paratë. Në biseda i pandehuri Rezart Taçi referohen me emrin Rezart dhe herë të tjera me inicialet RT, për të cilin flasin për një angazhim të cili ai nuk e ka kryer.

Nga përgjimet del se Rezart Taçi duhet të çonte te Petruzzella një shumë prej 500.000 Euro të cilën nuk e ka çuar ende. Në datën 23.09.2021 Fabio Petruzzella ka komunikuar me shtetasin Artur Balla të cilit i shpjegon se është në vështirësi për shkak të presioneve të bëra nga Francesco Zummo, për këtë arsye e pyet Arturin që të paktën të shfrytëzojë një aplikacion të “home banking” që të lejojë plakun të verifikojë gjendjen në llogarinë e tij. Konkretisht, Petruzzella ka kryer këtë bisedë:

Petruzzella: atëherë, unë kam një problem Artur dhe ti duhet të më… kam nevojë për të gjithë që ti të më zgjidhësh një problem më rëndësi…. klienti im ka filluar të humbasë besimin tek unë, mh! se natyrisht ….. nuk… është mosha 90 vjeç mezi kupton çfarë po ndodh, apo jo! se më bën muhabete elementare, por më fal s’është se unë … më thotë, s’është se ne kemi kërkuar këtë shërbim të na e bëjnë falas…. pra çfarë problemi ka… më kupton? …… dhe unë dua të shoh me sytë e mi që paratë e mia janë në llogarinë time…… më kupton pra unë e kam me urgjëncë të kem një home banking jo për të vepruar, por nga një dreq telefoni ti tregoj që… që janë aty… më kupton?

Në datën 27.09.2021 Petruzzella ka biseduar me bashkëshorten e tij lidhur me udhëtimin ditën e nesërme për në Tiranë. Bashkëshortja e tij i shpreh në këtë bisedë frikën për rolin që ai duhet të kryejë pasi të ketë mbërritur në atë vend, që mund të ekspozojë atë ndaj pasojave ligjore për “pastrimin e parave”, “të parave të Zummo” dhe këmbëngul duke i thënë se shqiptarët po e mashtrojnë.

Nga ana e tij Fabio kundërshton duke thënë edhe “Rezarti është shumë i inatosur” me një person të tretë, i cili i ka kërkuar shumë para, duke thënë “të paktën 1 milion, Rezart është shumë i inatosur”.

Në datat 28-29 shtator 2021 Petruzzella ka qenë në Tiranë, konfirmuar ky fakt me sistemin Tims dhe me vëzhgimet e kryera nga policia gjyqësore. Pas kthimit të tij nga Tirana në datën 29.09.2021 Petruzzella ka biseduar me bashkëshorten e tij të midis të cilëve është kryer kjo bisedë:

Petruzzella: ….. vajta në bankë, pashë paratë… i bëra… e di që është një gjë eh… një gjë të shkosh atje dhe ti prekësh me dorë… nxorra jashtë drejtorin e bankës dhe mi tha të gjitha…. tani të them, ai më tha Fabio teknikisht ne transfertën me bankë ne mund ta bëjmë edhe për tani për një minutë dhe ti këto para mund ti çosh ku të duash, vetëm të paralajmëroj se ndodh kjo……. e bllokon drejtoria ime në Athinë të bllokojë… kështu transferta bankare teknikisht nuk niset, e dyta drejtoria e Athinës dërgon direkt te Prokuroria e Republikës së…. shqiptare që kanë antiriciklimin që ka vënë djalin aty… …………….

Marina: jo, e mirë, nuk dua ta di… dua vetëm të di nëse ti je i qetë apo jo?

Petruzzella: po me 1000 %.

Marina: çfarë thua?

Petruzzella: po…. Rezarti është shumë i inatosur……………………. po edhe sepse Rezarti…. më tha Fabio … ta thashë dhe ta përsëris unë përgjigjem personalisht.

Marina: po paratë do ti japë?

Petruzzella: po.

Marina: Kur?

Petruzzella: këtë javë… pastaj ai ka….. të hënën tjetër, të martën…. pastaj tha të shtunën vijnë çunat….

Marina: domethënë nuk e kanë inskenuar?

Petruzzella: jooooo…. nuk mund ta kuptosh, kur eci aty me Arturin pra në Tiranë e ndalojnë të gjithë, në mes të rrugës…… në lokale, në restorante…… Arturit kunatit të Rezartit…. që pastaj krahu operativ në Shqipëri……….

Marina: domethënë nuk je i dëshpëruar Fabio…. eh e ke situatën nën kontroll?

Petruzzella: totalisht edhe Artur tha, siç të tha kapo, përgjigjemi ne…. duhet ti thuash klientit tënd që të flejë i qetë se përgjigjemi ne……

Top Channel

DIGITALB DIGITALB