Një valë e gjerë dhune ka përfshirë Meksikën pas vrasjes së baronit të drogës Nemesio Oseguera Cervantes, i njohur si “El Mencho”, gjatë një operacioni ushtarak në shtetin e Jalisco.

Si pasojë e përleshjeve dhe hakmarrjes së kartelit të tij, autoritetet raportojnë dhjetëra arrestime, postblloqe të shumta dhe incidente të përhapura në disa shtete të vendit.

Sipas ministrisë meksikane të mbrojtjes, lideri i kartelit Jalisco New Generation Cartel (CJNG) u plagos rëndë gjatë një operacioni për arrestimin e tij në qytetin Tapalpa dhe më pas ndërroi jetë. Katër anëtarë të kartelit u vranë gjatë operacionit, ndërsa tre ushtarakë mbetën të plagosur.

Pas vdekjes së tij, mbështetës të CJNG-së nisën akte të dhunshme në të paktën një duzinë shtetesh, duke bllokuar rrugë me automjete të djegura dhe duke sulmuar objekte publike e private. Vetëm në Jalisco u raportuan dhjetëra postblloqe, ndërsa incidente pati edhe në zona të tjera të vendit.

Në qytetin e Guadalajara, dëshmitarët raportuan persona të armatosur në rrugë dhe re të mëdha tymi mbi disa zona urbane. Situata e tensionuar u përshkrua nga turistë në Puerto Vallarta si një “zonë lufte”.

Guvernatori i Jaliscos, Pablo Lemus Navarro, shpalli kodin e kuq në shtet, duke pezulluar transportin publik, aktivitetet masive dhe mësimin me prezencë fizike.

Kabineti i sigurisë njoftoi për rreth 250 postblloqe në nivel kombëtar gjatë trazirave, ndërsa 25 persona janë arrestuar, përfshirë të dyshuar për dhunë, plaçkitje dhe grabitje. Rreth 20 degë bankash u sulmuan dhe disa dyqane u përfshinë nga flakët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB