Fiorentina mori maksimumin në ndeshjen e saj të javës së 26 të Serie A teksa në Artemio Franchi fitoi derbin toskan me Pisa me rezultatin 1-0 në një sfidë shumë delikate për mbijetesën.

Sinjalin e parë në këtë ndeshje e dha Ndour në minutën e 7 duke vënë në provë portierin Nicolas me një gjuajtje të fortë nga jashtë zone.

Katër minuta më vonë, ishte Caracciolo që ndërhyri ndaj një gjuajtje të Brescianini përpara se Kean në minutën e 13 të shënonte golin e avantazhit, sulmuesi italian shfrytëzoi një gabim të Canestrellit dhe mposhti portierin Nicolas nga shumë pranë portës. Fiorentina kishte krejtësisht kontrollin e fushës dhe u kthye të rrezikojë sërish me Dodo dhe Kean, ndërsa Pisa e kishte të pamundur të ndërtonte një aksion në pjesën e parë. 

Në fillimin e pjesës së dytë, Dodo pretendoi për një 11 metërsh, por u ndëshkua me karton të verdhë për simulim dhe do të jetë i skualifikuar për ndeshjen e radhës për shkak të akumulimit të kartonëve. Nicolas ndali një goditje dënimi të Fagioli, ndërsa Ranieri realizoi një mbyllje perfekte ndaj Meister në minutën e 54. Vendimtare ishte edhe ndërhyrja e Dodo para vijës së portës së tij, ndërsa Kean shpërdoroi shansin për të dyfishuar rezultatin me një kundërsulm. Gjithsesi deri në fund rezultati nuk ndryshoi më me Fiorentinën që fitoi 1-0 duke u ngjitur në 24 pikë po aq sa edhe Cremonese dhe Lecce duke dalë nga zona e rënies nga kategoria. Ndërsa Pisa mbetet me 15 pikë, 9 pikë prapa vendit të 17 që do të thotë mbijetesë në Serie A.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB