Trajneri i Portugalisë, Roberto Martinez, ka deklaruar se kapiteni Cristiano Ronaldo, meriton më shumë respekt dhe është Futbollisti më i Madh i të Gjithë Kohërave (GOAT), pavarësisht nëse do të fitojë Kupën e Botës këtë verë.

Martinez theksoi rëndësinë e trashëgimisë së Ronaldos, duke e cilësuar si lojtarin më të madh ndonjëherë. “Ai do të jetë lojtari më i madh ndonjëherë, pavarësisht nëse fiton Botërorin apo jo. Përgjegjësia jonë është t’i japim vetes shansin më të mirë për të konkurruar për të. Kjo vjen nga analiza, përmirësimi i vazhdueshëm dhe ruajtja e të njëjtit mendim që na ndihmoi të kemi sukses në Ligën e Kombeve”, deklaroi ai.

Spanjolli gjithashtu foli për përvojën e punës direkte me Ronaldon dhe përkushtimin e tij. “Nuk kam punuar kurrë me një lojtar që çdo mëngjes ka këtë fokus për të përdorur ditën për t’u përmirësuar. Nëse do të mund të kishim Cristiano përgjithmonë, kjo do të ishte mënyra më e lehtë për të ndihmuar lojtarët e rinj kur arrijnë në ekipin kombëtar. Dëshira e tij është të përdor çdo ditë për t’u bërë më i mirë”, shtoi Martinez.

Martinez ka shpjeguar edhe pse Ronaldo vazhdon të vendosë standarde për lojtarët në mbarë botën edhe në moshën e tij 40-vjeçare. “Mendoj se duhet ta pranojmë që të gjithë në botë e njohin Cristiano Ronaldo dhe kanë një opinion për të. Por Cristiano Ronaldo që iu bashkua kombëtares 21 vjet më parë nuk është i njëjti Cristiano që është tani”.

“Tani, ai është shumë më shumë një lojtar pozicional, një sulmues. Ai është një lojtar që, për ne, është një përfundues aksionesh. Ai është golashënuesi më i madh i të gjitha kohërave. Pra, të kesh një lojtar që tani ka 25 gola në 30 ndeshjet e fundit për kombëtaren është një dhuratë”, nënvizoi Martinez.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB