Një takim mes presidentit rus Vladimir Putin dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy mund të zhvillohet brenda tre javësh, sipas të dërguarit special të SHBA-së, Steve Witkoff, i cili tha se Uashingtoni ka paraqitur propozime konkrete për të afruar palët drejt një marrëveshjeje.
Në një intervistë për Fox News, Witkoff deklaroi se propozimet amerikane synojnë të krijojnë kushtet për negociata direkte dhe madje për një samit të mundshëm mes dy liderëve.
Ai e cilësoi konfliktin si “një luftë të kotë”, duke theksuar se bisedimet e fundit të ndërmjetësuara nga SHBA kanë prodhuar përparim në disa drejtime.
Sipas tij, si Rusia ashtu edhe Ukraina nuk japin shenja se duan realisht të vazhdojnë luftën, ndërsa pengesa kryesore mbetet niveli i lidership-it politik. Witkoff shtoi se së bashku me Jared Kushner, kanë paraqitur ide që mund t’i sjellin palët në tryezën e dialogut.
Ai nuk përjashtoi mundësinë që edhe presidenti Donald Trump të përfshihet në një takim të tillë, por vetëm nëse ekziston bindja se mund të arrihet rezultat konkret.
Witkoff theksoi se gjatë takimeve të tij me Putinin, lideri rus ka qenë “i drejtpërdrejtë” për vijat e kuqe dhe arsyet e tij, duke mbrojtur vizitat e shpeshta në Rusi si të domosdoshme për të kuptuar pozicionin e palës tjetër dhe për të çuar përpara negociatat.
Deklaratat vijnë pas raundit më të fundit të bisedimeve trepalëshe për luftën në Ukrainë, të zhvilluara këtë javë në Gjenevë.
Dy raunde të mëparshme u mbajtën në Abu Dhabi në fund të janarit dhe në fillim të shkurtit, në përpjekje për të gjetur një rrugë drejt armëpushimit dhe një marrëveshjeje më të gjerë politike.
Top Channel