Klubi “Dua Librin”feston 4-vjetorin e krijimit! Nga një ide mes miqsh, në një komunitet me 100 anëtarë: Qëllimi, të lexojmë sa më shumë

22/02/2026 13:07

“Dua Librin” është një klub libri që nisi rrugëtimin katër vite më parë nën drejtimin e Enrik Kecos.

Nga një ide e thjeshtë mes miqsh u shndërrua në një komunitet që rritet me çdo faqe të kthyer.

Ka filluar shumë spontanisht, midis një grupi shumë të vogël miqsh, sidomos pas pandemisë kur kishim humbur disi kontaktin me librin, ishte një detyrim për të lexuar më shumë. Tani jemi krijuar një komunitet, mblidhemi çdo muaj për të diskutuar një libër të caktuar”, u shpreh themeluesi i Klubit “Dua Librin”, Enrik Keco.

“Dua Librin” fton të gjithë dashamirësit e librit në takimet periodike në të martën e fundit të çdo muaji.

Kemi dhe një mision tjetër, për të promovuar shkrimtarët e rinj“, theksoi Keco.

Por, cilat sfidat me të cilat përballen autorët e rinj për të gjetur rrugën drejt lexuesit?

E kanë shumë të vështirë financimin dhe botimin. Duke qenë se janë në hapat e parë, të ardhurat nuk ua mundësojnë botimin. Shumë prej atyre që ne kemi diskutuar, kanë ende libra të pabotuar. Nuk ka as shumë instrumente për t’i promovuar“, shtoi ai.

Katër vjetori i klubit u festua në një mbrëmje mes miqve, librave dhe muzikës.

Kur shoh kaq njerëz, bëhemi optimist, sepse ka një pesimizëm te shkrimtarët që lexohet pak, ndërkohë që po shoh një realitet frymëzues. Shpresoj të bëheni viktimat e mia ndonjëherë për të folur për librat e mi“, u shpreh shkrimtari Ylljet Aliçka.

Mbi 100 anëtarë, 45 vepra të analizuara, diskutime dhe debate me të njëjtën dashuri për librin. Në fund të mbrëmjes, në mënyrë simbolike dhe humoristike për anëtarët e klubit u dhanë disa çmime.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB