Spiropali prezanton projektligjin për Shërbimin e Jashtëm: Shqipëria sot është Europa e Ballkanit

19/02/2026 12:39

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, prezantoi në Kuvend projektligjin “Për Shërbimin e Jashtëm në Republikën e Shqipërisë”.

Nga foltorja e Kuvendit, ministrja Spiropali tha se Shqipëria sot është një vend që merr përgjegjësi në tryezat e rëndësishme ndërkombëtare

“Shqipëria nuk është më një vend që pret në korridoret e diplomacisë ndërkombëtare. Shqipëria është një vend që flet, propozon, ndërmjetëson dhe merr përgjegjësi”-tha Spiropali.

Sipas Spiropalit, ky realitet i ri nuk ka ndodhur rastësisht, por është rezultat i një transformimi të thellë politik, institucional dhe diplomatik.

“Kemi qenë një vend që kërkonte vëmendje, por nuk kishim gjithmonë peshën për ta tërhequr atë. Një vend që trokiste në dyer, por shpesh nuk e dinte si të hynte brenda. Nga një vend që luftonte për statusin kandidat, sot jemi një vend që synon mbylljen e negociatave brenda vitit 2027. Nga një vend që shihej si problem, sot jemi një vend që kërkohet si partner në tryezat ndërkombëtare. Një vend që propozon iniciativa rajonale, që ndërmjetëson dialog dhe që merr përgjegjësi ndërkombëtare. Kjo është diferenca mes asaj ku ishim dhe asaj ku jemi”, tha Spiropali.

Ministrja e Jashtme deklaroi se Shqipëria ka zgjedhur rrugën e saj me qartësi: anëtarësimin në Bashkimin Europian, përforcimin e aleancës transatlantike dhe një rol aktiv për stabilitetin në rajon.

“Sot jetojmë në një botë më të pasigurt se ajo që njihnim vetëm pak vite më parë. Lufta është rikthyer në kontinentin europian. Në këtë realitet të ri, shtetet nuk gjykohen më vetëm nga madhësia e tyre, por nga qartësia e orientimit të tyre, nga besueshmëria si partnerë dhe nga aftësia për të marrë përgjegjësi. Shqipëria ka zgjedhur rrugën e saj me qartësi: anëtarësimin në Bashkimin Europian, përforcimin e aleancës transatlantike dhe një rol aktiv për stabilitetin në rajon. Kjo nuk është më një aspiratë abstrakte. Është një projekt konkret shtetëror”, theksoi Spiropali.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB